Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi mori pjesë sot në takimin online me mbi 50 organizata rinore të Shqipërisë dhe Kosovës. Në një postim në rrjetet sociale, Muzhaqi bëri të ditur se, ky takim u zhvillua në kuadër të Thirrjes së programit Erasmus+, për rritjen e kapaciteteve në fushën e rinisë midis Kosovës dhe Shqipërisë. “Ditën e dashurisë universale e festuam me mbi 50 organizata rinore të Shqipërisë dhe të Kosovës për të rritur bashkëpunimin midis dy shteteve tona”, u shpreh Muzhaqi. “Në bashkëpunim me Zyrat Kombëtare Erasmus+ në Shqipëri dhe Kosovë, zhvilluam një takim informues për organizatat rinore dhe për të rinjtë në kuadër të Thirrjes së programit Erasmus+ për projektet “Rritja e Kapaciteteve në fushën e Rinisë”, theksoi ajo. Ndër të tjera, shtoi Muzhaqi, “prezantuam përgatitjen e një aplikimi të suksesshëm në Thirrjen e programit Erasmus+ për projektet të cilat do të jenë të hapura për organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri dhe Kosovë, me qëllim nxitjen e partneriteteve dhe aplikimeve te përbashkëta në thirrje”. atsh