Një terapi gjenetike eksperimentale që synon të “rinovojë” qelizat e plakura është testuar për herë të parë tek një njeri.
Sipas revistës shkencore Nature, prova klinike është zhvilluar në Shtetet e Bashkuara nga Life Biosciences dhe ka për qëllim rigjenerimin e neuroneve të dëmtuara në nervin optik te pacientët me glaukomë.
Ndërhyrja e parë është kryer tek një pacient dhe përbën hapin e parë të një studimi klinik që parashikon gjithsej 12 pjesëmarrës.
Studiuesit synojnë të vlerësojnë sigurinë dhe efektivitetin e një metode që aktivizon tre gjene të afta të nxisin rikuperimin e qelizave nervore në nervin optik, struktura që lidh syrin me trurin dhe që dëmtohet progresivisht nga glaukoma.
Kompania shpreson që në fazat e ardhshme të përfshijë edhe pacientë të prekur nga neuropatia optike ishemike anteriore jo-arteritike (NAION), një sëmundje serioze që shkakton dëmtime të rënda të nervit optik dhe humbje të shikimit.
Terapia bazohet në një proces të quajtur “riprogramim i pjesshëm qelizor”, i cili synon t’u rikthejë qelizave të moshuara disa karakteristika të qelizave të reja, pa i kthyer ato plotësisht në qeliza burimore dhe pa humbur funksionin e tyre origjinal.
Për këtë qëllim përdoren tre nga katër gjenet e njohura që mund të rikthejnë qelizat adulte në një gjendje të ngjashme me atë të qelizave staminale.
Gjenet transportohen në organizëm përmes një virusi të modifikuar, i përdorur gjerësisht në terapitë gjenetike.
Për të rritur sigurinë, shkencëtarët kanë projektuar sistemin në mënyrë që gjenet të aktivizohen vetëm kur pacienti merr antibiotikun doksiciklinë. Në momentin që trajtimi me antibiotik ndërpritet, edhe aktiviteti i gjeneve ndalet.
“Kjo strategji na jep një nivel të lartë kontrolli, duke na lejuar t’i aktivizojmë dhe çaktivizojmë gjenet sipas nevojës dhe të shmangim qëndrimin e tyre aktiv më gjatë se sa duhet”, deklaroi Sharon Rosenzweig-Lipson.
Sipas saj, kompania po ecën me kujdes duke testuar teknologjinë në një sëmundje të lidhur me plakjen në të njëjtën kohë.
“Aktualisht nuk po merremi me rinovimin e të gjithë organizmit. Shpresojmë që një ditë të arrijmë deri aty, por ende nuk jemi në atë fazë”, tha ajo.
Ekspertët e konsiderojnë këtë studim një hap të rëndësishëm në fushën e mjekësisë rigjeneruese, megjithëse do të nevojiten vite kërkimesh për të kuptuar nëse kjo qasje mund të shndërrohet në një trajtim të sigurt dhe efektiv për sëmundjet që lidhen me plakjen.





