Qendra për Artin Bashkëkohor ZETA shpalli thirrjen për çmimin “Ardhje 2025” dhe fton artistë të rinj (nën 35 vjeç), të dërgojnë aplikimet e tyre.
Qendra ZETA organizon këtë çmim, në bashkëpunim me Residency Unlimited, institucioni i cili pret artistin fitues si rezident dymujor në New York, mbështetur nga fondacioni “The Trust for Mutual Understanding”.

Çmimi “Ardhje” organizohet si një konkurs i përvitshëm, që ka për qëllim të nxisë krijimtarinë, ekspozimin dhe promovimin e artit bashkëkohor në Shqipëri dhe ndërkombëtarisht.

Ky çmim është pjesë e rrjetit “Young Visual Artist Award” që nga viti 2007, që ofron jo vetëm mundësi për krijimin dhe prezantimin e veprave të reja në një ekspozitë të përbashkët, por edhe mbështetje në zhvillimin e tyre artistik dhe profesional.
Një juri e përbërë nga profesionistë të fushës, vendas dhe ndërkombëtarë, do të përzgjedhë katër artistët finalistë. Afati përfundimtar për të dërguar aplikimin është 10 qershor 2025.

Lista e 4 artistëve të përzgjedhur si finalistë do të publikohet brenda datës 30 qershor 2025 dhe atyre do t’u akordohet një shumë prej 1200 dollarësh për realizimin e veprës pjesëmarrëse në ekspozitë. Hapja e ekspozitës me artistët finalistë dhe shpallja e fituesit do të mbahet në muajin tetor 2025.