Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, po përballet me një nga sfidat më të vështira mjedisore, ndotjen e ajrit.

Qyteti, i cili shpesh kryeson listën e qyteteve më të ndotura në Evropë dhe në botë, ka parë një rritje alarmante të sëmundjeve dhe vdekjeve që lidhen me ndotjen e ajrit.

Gorjan Jovanovski, një eko-aktivist maqedonas, sipërmarrës dhe inxhinier i softuerëve, i cili angazhohet për të rritur ndërgjegjësimin për ndotjen e ajrit dhe ka luftuar këtë problem për një dekadë, tha se situata është alarmante dhe kërkon veprim të menjëhershëm nga autoritetet.

5 000 persona humbin jetën çdo vit për shkak të ndotjes së ajrit

Jovanovski thotë se me çështjen e ndotjes së ajrit merret që 10 vite dhe problemi ekziston dhjetëra vitet e fundit, me 5 000 njerëz që humbin jetën në vit si pasojë e ndotjes së ajrit.

“Nuk jemi në luftë, nuk jemi në gjendje lufte dhe 5 000 njerëz po e humbin jetën nga ajri i ndotur”, thotë Jovanovski, duke theksuar shqetësimin për shëndetin e popullatës.

“Kjo nuk është mjegull, është smog. Kjo është diçka që hyn në sistemin tonë pulmonar dhe krijon probleme jonormale në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek ata që janë më të rrezikuarit”, shton ai.

Shkupi i mbytur në smog

Jovanovski thotë se ndotjen në Shkup e inkurajon edhe pozita gjeografike e qytetit, i cili ndodhet në një luginë.

Ekoaktivisti shpjegon se kjo krijon një problem natyral, ku ndotja mbetet e bllokuar dhe nuk pastrohet lehtë nga ajri, duke theksuar se duhen bërë disa ndryshime.

“Duhen ndryshime, nga industria e pakontrolluar, e cila nga fabrika më e madhe deri në furrën më të vogël ndot vazhdimisht pa e ditur se sa toksina lëshon në ajër, deri te zëvendësimi i plotë i sistemeve të ngrohjes së amvisërive dhe institucioneve shtetërore që vazhdojnë të ngrohen me naftë për djegie, që është jonormale në një luginë të tillë”, tha Jovanovski, duke shtuar se transporti publik dhe menaxhimi i mbeturinave duhet të përmirësohet edhe më tej për të reduktuar ndotjen.

Sipas Jovanovskit, ka masa specifike që mund të zvogëlojnë ndotjen, por shteti nuk po ndërmerr hapat e duhur.

Ai beson se ndotja e ajrit nuk është vetëm çështje ndërgjegjësimi, por çështje mbijetese.

“Këta janë miqtë tanë, fëmijët tanë, prindërit tanë, është anormale. Të gjitha këto probleme, në një mënyrë apo tjetër, janë zgjidhur nga qytete të tjera të botës, nga Polonia deri te Kina. Ne mund t’i marrim ato si shembull dhe të zbatojmë të njëjtat zgjidhje. Ne nuk jemi unik në zgjidhjen e këtij problemi”, shtoi Jovanovski.

AirCare aplikacioni që informon dhe paralajmëron

Me qëllim të informimit të publikut për cilësinë e ajrit, Jovanovski krijoi aplikacionin “MojVozduh” (Ajri im), i cili u shndërrua në “AirCare”. Ky aplikacion mbledh të dhëna nga stacionet matëse shtetërore, satelitët dhe burimet tjera dhe kështu mundëson monitorimin e ndotjes në kohë reale.

“Aplikacioni është bërë me qëllim që ne si qytetarë të thjeshtë të informohemi për ajrin që thithim jashtë, sa i ndotur është ajri realisht, të mbrohemi në periudha të ndotjes së lartë, të mos dalim jashtë, të ulemi me dritare të mbyllura, të mbajmë maska”, thotë ai.

Aplikacioni sot është i disponueshëm globalisht dhe përdoret nga njerëz në të gjithë botën që përballen me të njëjtin problem.

Aplikacioni mori njohje ndërkombëtare në media si Forbes, BBC, NASA, ”New York Times”, ”Washington Post” si dhe revista në Japoni.

Për krijimin e këtij aplikacioni, Gorjan Jovanovski fitoi Çmimin Evropian për novatorin e ri më të mirë në vitin 2020 në kategorinë e të rinjve nën 30 vjeç.