Shitjet në sektorin e shërbimeve kanë vijuar rritjen edhe në tremujorin e katërt të vitit 2024.
Të dhënat e publikuan nga Instituti i Statistikave (INSTAT) në raportin “Statistikat afatshkurtra”, tregojnë se shitjet në aktivitetin e tregtisë me shumicë dhe pakicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave u rritën me 4%.
Ndërsa numri i të punësuarve shënoi rritje 5,4%, krahasuar me tremujorin e katërt 2023.
Krahas numrit të të punësuarve edhe fondi i pagave shënoi rritje 15,6% për këtë periudhë.
Në aktivitetin e transportit, magazinimit dhe postës, i cili përfshin transportin hekurudhor të mallrave, detar, ajror, Magazinimin dhe aktivitetin postar, shitjet në volum u rritën 12,8%, krahasuar me tremujorin e katërt 2023.
Numri i të punësuarve shënoi rritje 0,2%, ndërsa fondi i pagave shënoi rritje 1,2%, krahasuar me tremujorin e katërt 2023.
Në aktivitetin e bar-restoranteve, shitjeve neto në volum shënuan rritje 12,8%, numri i të punësuarve shënoi rritje 7,8%, ndërsa fondi i pagave shënoi rritje 11,2%.
Në aktivitetin e informacionit dhe komunikacionit, i cili përfshin aktivitetin e publikimit, telekomunikacionit si dhe shërbimet e teknologjisë së informacionit, në tremujorin e katërt 2024, shitjet neto në volum shënoi rritje 8,7%, numri i të punësuarve shënoi rritje 8,7%, ndërsa fondi i pagave shënoi rritje 8,2%.
Në aktivitetin e agjencive të udhëtimit shitjet neto në volum shënuan rritje 7,1%, numri i të punësuarve shënoi rritje 12,7%, ndërsa fondi i pagave shënoi rritje 19,6%.