Modelet Numerike të Parashikimit

0
164

Një ndër metodat më të mira dhe më praktike në parashikimin operacional dhe kërkimin shkencor në meteorologji dhe klimë janë Modelet Numerike të Parashikimi (NWP). Është vërtetuar nga shumë autorë se modelet numerike meteorologjike janë metoda efikase në analizën dhe parashikimin e reshjeve intensive. Metoda e Modeleve Numerike Meteorologjike (NWP) bazohet në integrimin e një sistemi ekuacionesh me derivate të pjesshme, të cilët përcaktojnë gjëndjen e atmosferës.

Zgjidhja e sistemit të ekuacioneve të NWP mbështetet në të dhënat kufitare nga vrojtimet reale të parametrave meteorologjikë dhe rezultatet e tyre përcaktojnë gjëndjen e atmosferës në intervalet kohore pasardhëse. Modelet numerike kanë shtrirje hapësinore dhe kohore, në bazë të së cilave ata ndahen në modele me rezolucion të ulët dhe me rezolucion të lartë. Modelet me rezolucion të ulët hapësinor kanë shtrirje hemisferike, globale apo kontinentale ndërsa modelet me rezolucion të lartë kanë shtrirje rajonale apo lokale. Rezolucioni hapësinor i modeleve bazohet në numrin e pikave të grilies në të cilat modeli kryen llogaritjet.

Në ditët e sotme, modelet më efikase janë “ansamblet” e parashikimit të cilët përbëhen nga integrimi i një modeli të vetëm parashikimi që i jepen kushte fillestare të ndryshme prej të cilit dalin rezultate të ndryshme për të njëjtën gjëndja të atmosferës. Rezultatet e ansambleve filtrohen deri në nxjerrjen e gjëndjes me propabilitetin më të madh të ndodhjes, në bazë të së cilës realizohet parashikimi. Modeli më praktik i përdorur në simulimet numerike të episodeve me reshje intensive për territorin shqiptar është modeli MM5. Për studimin e episodeve me reshjeve intensive me anë të modeleve numerike të parashikimit, episodet mund të simulohen duke ndërhyrë “artificialisht” në faktorët fizikë dhe dinamikë të kushteve atmosferike, duke hequr apo shtuar faktorë të ndryshëm, duke u dhënë faktorëve pesha të ndryshme gjatë simulimit, etj.

Për Shqipërinë janë analizuar dhe simuluar me anë të modelit MM5 disa episode me reshje intensive dhe rezultatet e arritura kanë përcaktuar faktorë të rëndësishëm si relievi dhe nxehtësia latente, të cilët ndikojnë prodhimin e reshjeve intensive [Porja, T.: 2010]. Në studimin konkret, janë përdorur ri-analizat e modeleve numerike meteorologjike për arsye se simulimet numerike janë përmomentin të pamundura të realizohen duke qenë se në Shqipëri, ende nuk run-ohet fizikisht, një model numerik meteorologjik.
Produktet e Modeleve Numerike të Parashikimit që përdoren në parashikimin operacional të motit në Shqipëri, nxirren nga run-imi i NWP në Qendrat Ndërkombëtare të Meteorologjisë ndërkohë që është e lehtë të gjesh pranë arkivave të këtyre qendrave, për qëllim kërkimi shkencor, fushat e analizuara apo ri-analizat e modelevenumerike meteorologjike. Run-imi i NWP pranë qendrave të meteorologjisë shqiptare do të lejonte simulimet numerike të faktorëve të ndryshëm meteorologjikë, për rrjedhojë edhe studimin e detajuar të episodeve me mot ekstrem.

Përdorimi i rianalizave të fushave të NWP përbëjnë një metodë shumë efikase dhe praktike për studimin e reshjeve intensive.Analizat e fushave të modeleve numerike janë shumë efikase në studimin e fenomeneve atmosferike në përgjithësi, pasi saktësia e analizave është më e lartë se saktësia e parashikimit që bën vetë modeli duke qënë se analizat e modeleve run-ohen pasi fenomenet kanë ndodhur dhe janë të korrigjuara nga vrojtimet reale të parametrave meteorologjikë në sipërfaqen e tokës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here