Parku Kombëtar “Shebenik” është një nga atraksionet turistike, i cili të ofron mundësi dhe alternativa pa fund destinacionesh me rrugë për automjete dhe këmbësore siç janë dhe shtigjet. Specialistët e Adiminstarës së Zonave të Mbrojtura, Elbasan në bashkëpunim me punonjësit e PONT-it realizuan markimin, shenjimin dhe pastrimin nga gurët dhe degët në një nga shtigjet, i cili të çon në një nga destinacionet më të bukura të parkut, siç është edhe maja e Librazhdit, nga ku mund të shijosh pamjen e një natyre të mrekullueshme e mahnitëse si edhe ajrin e pastër e të freskët. Shkalla e vështirësisë së shtegut konsiderohet mesatare dhe sugjerohet pajisja e turistëve me veshje dhe këpucë të përshtatshme për terren. Sipas ADZM Elbasan, ky shteg vizitohet sipas itinerarit Librazhd – Qafë Shapkë – Darkat e Librazhd Katundit – Maja e Librazhdit. Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë vijon të jetë një ndër destinacionet turistike të preferuara nga turistët vendas e të huaj edhe në stinën e vjeshtës. Në këtë park turistët kanë mundësi të shijojnë liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë-Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera. ATSH