SHBA: Kina kalon vijën e kuqe nëse i ofron armë Rusisë

0
4

Ambasadorja amerikane në OKB deklaroi se Kina do të kalonte vijën e kuqe nëse vendi vendos t’i ofrojë armë Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, sipas CNN. ”Ne mirëpresim njoftimin kinez se ata duan paqen sepse kjo është ajo që ne duam të ndjekim gjithmonë në situata si kjo. Por, ne gjithashtu duhet të jemi të qartë se nëse ka ndonjë mendim dhe përpjekje nga kinezët dhe të tjerët për t’i ofruar mbështetje vdekjeprurëse rusëve në sulmin e tyre brutal kundër Ukrainës, kjo është e papranueshme”, tha ambasadorja Linda Thomas-Greenfield për CNN. “Kjo do të ishte një vijë e kuqe”, theksoi ajo. SHBA-ja ka filluar të shohë prirje shqetësuese në mbështetjen e Kinës për ushtrinë ruse dhe ka shenja që Pekini dëshiron të ofrojë ndihmë ushtarake vdekjeprurëse për Rusinë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e ngriti këtë çështje edhe kur u takua me homologun e tij kinez, Wang Yi, të shtunën në Mynih. ”Sekretari ishte mjaft i prerë në paralajmërimin për implikimet dhe pasojat nëse Kina ofron mbështetje materiale për Rusinë ose duke ndihmuar Rusinë me evazion sistematik të sanksioneve”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit. Thomas-Greenfield gjithashtu përsëriti se SHBA është e përgatitur të konkurrojë me Kinën. “Presidenti ka thënë se ne e shohim Kinën si kundërshtarin që ajo është. Ne jemi të përgatitur të konkurrojmë me kinezët dhe jemi të përgatitur, kur është e nevojshme, të përballemi me ta. Dhe kjo është ajo që ne po bëjmë. Dhe kjo është ajo që ne do të vazhdojmë të bëjmë për të siguruar që interesat tona kombëtare të jenë gjithmonë të parat”, tha ajo. atsh