Numri i mjeteve rrugore në Shqipëri është rritur me 8,7% krahasuar me të njëjtën periudhë një viti më parë, duke arritur në mbi 1,1 milionë automjete.

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë 2026, numri i mjeteve rrugore në qarkullim në territorin e Shqipërisë ishte 1.115.221.

Ndër to, autoveturat përbëjnë 80,6 % të mjeteve gjithsej, të ndjekura nga motorët me 6,5% dhe automjetet për transport të përzier me 5,7%.

Tirana zë peshën më të madhe me 34,7% të mjeteve gjithsej, ndjekur nga Durrësi me 13,7%. Ndërkohë, Gjirokastra dhe Kukësi kanë numrin më të ulët të mjeteve, përkatësisht me 2,1% dhe 2,4%.

Gjatë këtij tremujori janë regjistruar për herë të parë 25.338 mjete, nga të cilat 80,0% ishin autovetura. Sërish, qarku i Tiranës udhëheq me 40,0% të regjistrimeve të reja.

Ndërkohë regjistrimet e reja kanë shënuar një rënie prej 4,8%. Në mjetet e regjistruara për herë të parë, “Volkswagen” mban vendin e parë me 16,6%, e ndjekur nga “Mercedes Benz” me 15,1%.