Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke marrë shkas nga diskutimet e fundit mbi situatën e krijuar në një segment të veçantë të sistemit financiar dhe mikrofinanciar, atë të trajtimit të kredive me probleme, deklaroi sot se “kreditë me probleme janë trajtuar në respektim të plotë të kuadrit ligjor”.
Në konferencën për media, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Sejko tha se, “Banka e Shqipërisë është një institucion kushtetues, i mandatuar nga ligji me një mision thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit: atë të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe të mbështetjes së stabilitetit financiar. I gjithë aktiviteti politikëbërës, rregullator dhe mbikëqyrës i institucionit, ka qenë dhe mbetet i orientuar ekskluzivisht drejt përmbushjes së këtij misioni”.
Sipas tij, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka ushtruar me përgjegjësi e profesionalizëm detyrën e tij, si organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.
“Ai ka marrë gjithnjë vendime në interes të së mirës publike të vendit dhe të shoqërisë, ka monitoruar me vëmendje dhe në përputhje me mandatin ligjor zbatimin e detyrave të ngarkuara, si dhe është njohur rregullisht me raportimet e njësive organizative të Bankës, përfshi edhe ato të mbikëqyrjes bankare.
Në tërësi, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se aktiviteti i Bankës së Shqipërisë ka qenë në përputhje me bazën ligjore e rregullatore dhe i ka shërbyer përmbushjes së misionit të saj në linjë me nevojat e zhvillimit ekonomik të vendit”, u shpreh Guvernatori.
“Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës mbeten të gatshëm të mbështesin në vijim të gjitha reformat e nevojshme ligjore për adresimin e problematikave që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme, si dhe të ndërmarrë me prioritet çdo nismë të nevojshme rregullatore, e cila qëndron brenda mandatit dhe kompetencës së vet”, deklaroi Sejko.