Të paktën nëntë persona vdiqën dhe rreth 100 të tjerë u plagosën gjatë një rrëmuje në një stadium futbolli në El Salvador, raportoi sot gazeta lokale “La Prensa Gráfica”. Gazeta tha se të vdekurit ishin të gjithë të rritur dhe përfshinin shtatë burra dhe dy gra. “Të plagosurit u dërguan në spitalet pranë stadiumit “Cuscatlán” në kryeqytetin e San Salvador”, njoftoi policia e vendit të Amerikës Qendrore në Twitter. Ndeshja midis FC Alianza dhe CD FAS u anulua, pasi punonjësit e ekipeve të shpëtimit u përpoqën të shpëtonin jetë. Gazeta tha se tifozët u ankuan se stadiumi ishte i mbipopulluar ndërsa shumë njerëz prisnin të hynin. “Kishte vetëm dy porta të hapura në të gjithë stadiumin. Njerëzit jashtë donin të hynin me forcë, të gjithë ranë mbi ne”, tha një tifoz për gazetën. Një tjetër tifoze Sandra Argueta tha se fëmijët dhe të moshuarit ishin përshirë nga mbipopullimi dhe porta duhej të rrëzohej për të marrë ajër, pasi shumë njerëz po mbyteshin. Gazeta e përshkroi turmën në panik, në periferi të ndeshjes së Kategorisë së Parë si një “ortek njerëzor”. atsh