Liderët e BE-së në fillim të samitit të sotëm nderuan viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri me një minutë heshtje. “Këshilli i Jashtëzakonshëm Evropian sapo ka filluar me një minutë heshtje për viktimat e tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë”, shkroi në Twitter Barend Leyts, zëdhënësi i presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel. Gjatë rrugës për në takim, disa liderë të BE-së shprehën keqardhje të thellë dhe ngushëllime për viktimat e tërmetit. Nga ana e tij, presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, i shprehu ngushëllime “kombit turk nga thellësia e zemrave”. Ai siguroi se “Lituania është e gatshme të mbështesë vendet që pësuan nga ky tërmet i tmerrshëm”. Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas shprehu gjithashtu keqardhje për katastrofën dhe bëri të ditur se vendi i saj dërgoi menjëherë 45 punëtorë shpëtimi me pajisje në Turqi dy ditë më parë. Udhëheqësit e BE-së pritet të diskutojnë mbështetjen për Ukrainën, migracionin dhe çështjet ekonomike në samitin dyditor. atsh