Sipas shërbimeve të inteligjencës lituaneze, Rusia do të vazhdojë luftën e saj në Ukrainë edhe për dy vjet të tjera. “Ne vlerësojmë se Rusia ka në dispozicion burime që do të ishin të mjaftueshme për të zhvilluar një luftë me të njëjtin intensitet edhe për dy vjet të tjera”, tha sot koloneli i shërbimit të inteligjencës ushtarake, Elegijus Paulavicius, ndërsa prezantoi raportin vjetor të agjencisë së tij. Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë, më 24 shkurt 2022. “Mijëra ushtarë nga të dyja palët janë vrarë deri më tani, së bashku me mbi 8 000 civilë”, sipas OKB-së. “Rusia, nën udhëheqjen e presidentit Vladimir Putin, është bërë gjithnjë e më shumë totalitare”, thuhet në raport. Ai tha se lufta në Ukrainë minon themelin politik dhe ekonomik të regjimit. “Dështimet në fushën e betejës, mobilizimet e mëtejshme dhe një përkeqësim i situatës ekonomike mund të kenë një ndikim negativ në stabilitetin e Rusisë”, sipas raportit. “Brenda mjedisit aktual social dhe politik, alternativa më e mundshme ndaj regjimit të Putinit është një regjim tjetër autoritar. Prandaj, Rusia ndoshta mbetet një kërcënim dhe burim jostabiliteti në rajon të paktën në afat të mesëm”, thanë shërbimet e inteligjencës. atsh