Rusia e ka shpallur grupin e të drejtave të njeriut “Amnesty International” një organizatë të padëshirueshme duke ndaluar praktikisht punën e saj në vend.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Moskë njoftoi sot se organizata ishte një “qendër për përgatitjen e projekteve globale rusofobe, të paguara nga ndihmësit e regjimit të Kievit”.

Ndër të tjera, autoritetet akuzojnë AI për përkeqësimin e konfrontimit ushtarak në rajon që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Të klasifikohesh si një organizatë e padëshirueshme është e barabartë me një ndalim në Rusi.

“Amnesty International” është një nga grupet më të njohura të të drejtave të njeriut në botë.

Ajo akuzon vazhdimisht Moskën për krime lufte në Ukrainë dhe për shtypjen e disidentëve.
Rusia ka shpallur institucione të shumta si organizata të padëshirueshme që kur nisi luftën e saj të agresionit në Ukrainë.