Punimet për rikonstruksionin e rrugës Ersekë-Leskovik, një projekt me vlerë 6 milionë euro financuar nga qeveria shqiptare dhe BERZH, vazhdojnë me ritme të mira. Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole, tha sot se “ndërhyrjet synojnë të përmirësojnë cilësinë dhe sigurinë e qarkullimit duke ruajtur gjurmën ekzistuese të rrugës, të përmirësojnë lidhjen mes zonave të rajonit, komunikimin ndërkufitar dhe aksesin drejt potencialeve turistike të Kolonjës e Përmetit, për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë”. “Projekti parashikon ndërtimin e shtresave të asfaltit të rrugës ekzistuese; ndërtimin e nënshtresave (aty ku ka dëmtime të mëdha); zgjidhjen e drenazhimit të rrugës; ndërtimin e mureve mbajtëse dhe pritëse; ndërtimin e tombinove dhe veprave të artit në rrugë; sinjalistikën vertikale dhe horizontale”, tha Jole. Jole bëri të ditur se “rikonstruksioni i rrugës do të përfundojë plotësisht pranverën e vitit të ardhshëm, duke lehtësuar qarkullimin e mjeteve të shumë turistëve vendas e të huaj që e vizitojnë këtë zonë me natyrë të mrekullueshme në qarkut tonë”. Rruga është e gjatë 42.67 km, gjerësia e asfaltit ekzistues është rreth 4 m, ndërsa asfalti i ri është i gjerë 5 m në të gjithë gjatësinë e rrugës.
Rruga Ersekë-Leskovik:Zhvillim turizmit të zonës
RELATED ARTICLES