Kalatë dhe monumentet e kulturës presin çdo ditë e më shumë vizitorë nga i gjithë vendi dhe bota. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se numri i vizitorëve përgjatë katërmujorit të parë të këtij viti shënoi rritje me 56 %. “Kalatë dhe monumentet e kulturës pritën 28 658 vizitorë për periudhën janar – prill 2024. Numri i vizitorëve është rritur me 56 % në krahasim me vitin që lamë pas”, u shpreh ministri. Ndërkohë autoritetet në vend kanë zgjatur edhe orarin e vizitave në të gjitha kalatë dhe monumentet e kulturës për periudhën maj-tetor 2024. Ato do të jenë të hapura nga ora 09:00-19:00 në të gjitha ditët e javës. Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia etj, ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër. Po ashtu vizitorët mund të zgjedhin midis Muzeut të Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeut Etnografik në Berat, Muzeve arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeut Etnografik në Sarandë, Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeut Arkeologjik, Tiranë, Muzeut Historik Shkodër etj.