Ministri francez i Shëndetësisë, Aurelien Rousseau ka dorëzuar dorëheqjen, pas miratimit të ligjit të diskutueshëm të imigracionit në parlament. Gazetat ”Le Figaro” dhe ”Le Parisien” raportuan dorëheqjen e Rousseau, por të dyja thanë se ishte e paqartë nëse kryeministrja Élisabeth Borne e kishte pranuar atë. Ruso është pjesë e krahut të majtë të qeverisë dhe ishte kundërshtar i tekstit më të rreptë ligjor që parlamenti miratoi mbrëmjen e së martës. Debati mbi ligjin e imigracionit ka çuar në përçarje brenda qeverisë franceze të qendrës së djathtë të presidentit Emmanuel Macron. Pasi opozita në Asamblenë Kombëtare hodhi poshtë propozimin e qeverisë javën e kaluar përpara debatit plenar, një komision parlamentarësh dhe senatorë kërkuan një kompromis. Qeveria po bën lëshime të rëndësishme ndaj konservatorëve për të siguruar miratimin e tyre – gjë që ka shkaktuar pakënaqësi brenda krahut të saj të majtë. Disa anëtarë të parlamentit nga radhët e Macron votuan kundër projektligjit. Qeveria dëshiron të përdorë projektin për të kontrolluar më mirë imigracionin dhe për të përmirësuar integrimin. Edhe para votimit në parlament, në media kishte raportime se disa ministra të krahut të majtë të qeverisë po mendonin të jepnin dorëheqjen.