Viti Kombëtar i Pyjeve vijon me nisjen e riinventarizimit kombëtar të pyjeve dhe kullotave.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se “puna ka nisur me qarkun e Fierit gjatë muajit gusht”.
“Një proces që vlerëson ndryshimet në fondin pyjor, siguron të dhëna cilësore si dhe mundëson përmirësimin periodik të tyre në funksion të shëndetit të pyjeve dhe biodiversitetit”, u shpreh ajo.
Viti 2024 është shpallur nga qeveria si Viti i Pyjeve, ndërkohë që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hartuar edhe një kalendar gjithëpërfshirës aktivitetesh, me fokus rritjen e sipërfaqeve pyjore dhe ruajtjen e tyre.
Pyjet dhe kullotat mbulojnë rreth 65 % të territorit të vendit ndaj dhe politikat e qeverisë janë fokusuar në ruajtjen dhe mirëmenaxhimin e tyre. Me reformën e decentralizimit pyjet dhe kullotat kanë kaluar në administrimin e bashkive.