Vazhdojnë të grumbullohen prova që mbështesin efektivitetin e ilaçit eksperimental retatrutide.
Kjo molekulë ka treguar se mund të ulë nivelin e hemoglobinës së glikuar dhe peshën trupore tek disa pacientë me Diabete i tipit 2 të pakontrolluar.
Rezultatet, të cilat pritet të publikohen së shpejti në një revistë shkencore, janë bërë të ditura nga kompania prodhuese Eli Lilly dhe i shtohen të dhënave të publikuara në fund të vitit të kaluar për trajtimin e obezitetit dhe artrozës së gjurit.
Retatrutide është një agonist i trefishtë që vepron mbi tre receptorë hormonalë të përfshirë në metabolizmin e glukozës: GIP, GLP-1 dhe glukagonin. Kjo e bën atë një trajtim potencialisht më të avancuar krahasuar me terapitë ekzistuese.
Ilaçi është aktualisht në disa faza testimi klinik. Në studimin TRANSCEND-T2D-1, një provë e randomizuar dhe “double-blind”, retatrutide u krahasua me placebo tek mbi 500 pacientë me diabet të tipit 2, të cilët nuk arrinin ta kontrollonin sëmundjen vetëm me dietë dhe aktivitet fizik.
Trajtimi u administrua një herë në javë përmes injeksionit nënlëkuror dhe studimi zgjati 40 javë.
Në përfundim të studimit, pacientët që morën retatrutide shënuan ulje më të madhe të hemoglobinës së glikuar (deri në rreth 2%, krahasuar me 0.8% në grupin placebo) dhe humbje peshe deri në 16 kilogramë (rreth 17% e peshës trupore, krahasuar me rreth 3 kg në grupin placebo).
Gjithashtu u vunë re përmirësime në faktorë të tjerë të rrezikut kardiovaskular, si trigliceridet, presioni i gjakut dhe kolesteroli jo-HDL.
Sa i përket efekteve anësore, më të shpeshtat ishin të përziera, diarre dhe të vjella, sidomos në doza më të larta. U raportua gjithashtu disestezi (çrregullim i ndjeshmërisë), zakonisht i lehtë dhe kalimtar.
Nga 2% deri në 5% e pacientëve ndërprenë trajtimin për shkak të efekteve të padëshiruara.




