Në këtë ikonë që ka funksionuar si Dera e Bukur e ikonostasit të kishës së Kostandinit dhe Helenës në kalanë e Beratit paraqitet skena e Ungjillizimit. Në pjesën e poshtme kryeëngjëlli Gabriel, paraqitet duke lajmëruar virgjëreshën Marie për lindjen e shpëtimtarit ndërsa sipër qëndrojnë profeti Isaia dhe mbreti David. Ikona edhe pse e restauruar përpara disa dekadash, paraqiste problematika të ndryshme si dëmtim të kornizimit e shtresave përgatitore, dëmtim të pelikulës piktorike kryesisht në gjysmën e poshtme, shoqëruar me papastërti të qëndrueshme të lëna nga restaurimi i mëparshëm dhe oksidim verniku. Të gjitha këto copëtonin tërësinë e skenës, tjetërsonin elegancën dhe bukurinë e ikonës si dhe rrezikonin degradimin e saj. Sot ikona paraqitet në shkëlqimin e plotë të saj dhe së shpejti do ti ofrohet e ekspozuar publikut të gjerë të Muzeut “Onufri”, të cilët mund të admirojne më qartë mjeshtërinë dhe finesën e artit të Onufër Qipriotit.