Përfundoi restaurimi i tri ikonave me autor Dicho Zografin, “Shën Athanasi”-1855, “Shën Harallambi”-1855 dhe “Shën Nikolla”-1859. Tre ikonat kanë qenë pjesë e ikonostasit dhe interierit në kishën e Shën Kollit në Elbasan (shek. XVII-XVIII) dhe pas prishjes së saj, në vitin 1969, u inventarizuan e transferuan në fondin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, ndërsa më pas në vitin 1999 në fondin e Muzeut Historik Kombëtar. Dicho Zografi ishte piktor ikonograf mjaft i njohur në rrafshin ballkanik, përfaqsues i shkollës artistike të Dibrës gjatë shek. XIX, i cili ka realizuar me ateljenë e tij piktura murale në një sërë kishash dhe rreth 2000 ikona të shpërndara në këtë hapësirë. Autori shquhet për trajtimin e figurave me vizatime reale dhe portrete me shumë plastikë, pikturimit në miniaturë, dekoracionit të pasur floreal, realizimit të incizioneve dhe zbukurimit të aureolave e veshjeve të shenjtorëve me punzonatura (goditje me bulino). Këto tipare të artit ikonografik të kësaj periudhe, me vlera të larta artistike dhe historike, dëshmohen qartë edhe në tre ikonat e restauruara.