Regjistrimi i popullsisë që ka filluar këtë muaj në Kosovë, është një proces i numërimit të gjithë banorëve dhe i mbledhjes së informatave demografike, ekonomike, sociale, arsimore, bujqësore dhe informatave të tjera për secilin person. Drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe njohës të ekonomisë thonë se vendi ka nevojë për evidencë të mirëfilltë të qytetarëve dhe nga ky regjistrim presin të ketë përmirësim në aspektin ekonomik në vend, hartim të politikave më efektive në investime e po ashtu edhe realizim të të drejtave të qytetarëve. Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati tha për KosovaPress se nga regjistrimi i popullsisë përfitojnë të gjithë individët dhe institucionet, e po ashtu mblidhen edhe shumë indikatorë të rëndësishëm për gjithë territorin e vendit. Kastrati, u bëri thirrje gjithë qytetarëve të regjistrohen, teksa shtoi se nga ky regjistrim të dhënat do të jenë më të freskëta dhe do t’u vijnë në ndihmë institucioneve në aspekte të ndryshme. Regjistrimi i popullsisë ka filluar në datën 5 prill dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj në të gjithë vendin. Në regjistrimin e popullsisë po ashtu do të përfshihet edhe një pyetësor, i cili iu mundëson qytetarëve të deklarohen edhe për dëmet që u ka shkaktuar lufta e fundit në Kosovë. Ndërkaq, regjistrimi i fundit në Kosovë ka qenë 13 vjet më parë, më 2011.
Regjistrimi i popullsisë, ja çfarë përfiton ekonomia e Kosovës
RELATED ARTICLES