Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot dy projektligje, atë për disa ndryshime në ligjin nr.9584, datë 17.07.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, si dhe p/ligjin “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, që i hapin rrugë reformës së pagave që ka propozuar qeveria. Objektivi që synohet të arrihet përmes amendimit të këtyre dy ligjeve është krijimi i një piramide të niveleve të pagave për disa institucione kushtetuese dhe të pavarura. Me përcaktimin e pagës së Presidentit, si paga më e lartë në Republikën e Shqipërisë, janë të lidhura gjithashtu edhe disa funksione të tjera kushtetuese dhe të pavaruara të krijuara me ligje specifike, duke krijuar kështu një hierarki mes këtyre funksioneve, por njëkohësisht duke u shkëputur ndjeshëm nga funksione të tjera të administratës publike Përfituesit dhe efektet financiare janë si më poshtë: Presidenti i Republikës, titullarët dhe anëtarët me kohë të plotë të organeve kolegjiale drejtuese të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj. Praktikisht, përfitojnë 250 funksionarë politikë dhe funksionarë të tjerë, të cilët pagën e kanë të lidhur me pagën e Presidentit dhe efekti financiar vjetor vetëm për këto kategori përllogaritet në 20 milionë lekë. Më konkretisht, paga e presidentit propozohet të rritet në nivelin 425 mijë lekë të reja nga 257 mijë lekë që është aktualisht. Për sa i përket koeficientëve të pagës për pozicionet që kanë të bëjnë me institucionin e Kuvendit dhe atë të Ekzekutivit, ato janë përshtatur pa ndryshuar nivelin aktual të pagave, për ta rikonsideruar në një moment të dytë. Kjo për shkak fokusimin fillimisht tek finalizimi i kësaj politike të re të rritjes së pagave për një kategori më të madhe përfituesish, sikurse janë të gjithë punonjësit e administratës publike qendrore dhe vendore. Grupet e prekura indirekt janë të gjithë punonjësit e administratës publike qendrore dhe vendore. Politika e rritjes së pagave për administratën publike është parashikuar të shtrihet në dy vite. Sa i takon efektit financiar, kostoja totale e kësaj politike më 1 janar 2025 shkon rreth 39 miliardë lekë. Nga kjo reformë përfitojnë në total 130 330 punonjës. Projektligji “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”: – krijon një panoramë të qartë të fushës së veprimit të projektligjit; – përfshin përkufizimet për institucionet apo njësi të tjera organizative të administratës publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi; – përcakton qartësisht që me këtë projektligj të ri do të rregullohen kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe trajtimeve vetëm për të punësuarit në administratën publike, me përjashtim të pagës minimale në shkallë vendi, e cila do të jetë e detyrueshme edhe për sektorin privat; – përfshin për herë të parë parimet mbi bazën e të cilave duhet të përcaktohen pagat, trajtimet e tjera financiare dhe përfitimet; – qartëson kompetencat që kanë institucionet/organet që kanë të drejtë të përcaktojnë paga, trajtime të tjera financiare dhe përfitime për të punësuarit në administratën publike, duke përcaktuar njëkohësisht edhe aktin ligjor apo nënligjor për ushtrimin e këtyre kompetencave; – përcakton institucionet që propozojnë për Këshillin e Ministrave projektvendimet në fushën e pagave, të trajtimeve të tjera financiare dhe të përfitimeve; – përcaktohet procedura se si ndërmerret iniciativa për të hartuar një projektvendim të Këshillit të Ministrave për pagat, trajtimet e tjera financiare dhe përfitimet; – parashikon kompetenca të reja, për të cilat kishte boshllëk ligjor, nëpërmjet të cilave përcaktohen që të punësuarit në administratën publike përveç pagës dhe shpërblimeve, do të kenë të drejtë edhe për trajtime financiare dhe përfitime të tjera; – parashikon kompetencën e Këshillit të Ministrave për të miratuar indeksimin e pagave. Niveli i indeksimit, në çdo rast, nuk do të kalojë mbi një pikë përqindjeje mbi nivelin e targetuar të inflacionit nga Banka e Shqipërisë. Nëpërmjet miratimit të këtij projektligji synohet të arrihet: – krijimi i një kuadri rregullator të konsoliduar për kompetencat e caktimit të pagave, të trajtimeve të tjera financiare dhe të përfitimeve të tjera të të punësuarve në administratën publike; – të punësuarve të administratës publike u njihet e drejta edhe për trajtime të tjera financiare dhe përfitime te tjera, përveç pagës dhe shpërblimit për rezultate në punë; – i jepet zgjidhje nevojës për të siguruar pagesa konkurruese me tregun privat për disa kategori në fusha apo nënfusha prioritare të zhvillimit të vendit që do të përcaktohen rast pas rasti me vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo iniciativë, besojmë se do të krijojë kushtet e nevojshme që institucionet e administratës publike të mund të mbajnë apo të tërheqin disa kategori të punësuarish, sidomos në sektorin e IT, duke konkurruar denjësisht me tregun privat. – i jepet zgjidhje të gjitha problematikave të evidentuara ndër vite. atsh
Reforma e pagave, Komisioni i Ligjeve miraton 2 projektligjet
RELATED ARTICLES