Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, deklaroi se po i ndjek nga afër ngjarjet që nisën me revoltën e Grupit Wagner kundër administratës ruse dhe theksoi se kjo është çështje e brendshme e Rusisë. Michel, në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter, deklaroi se BE-ja po monitoron nga afër situatën në Rusi. Ai theksoi se është në kontakt me liderët evropianë dhe partnerët e G7-s. “Kjo është qartë një çështje e brendshme e Rusisë”, shtoi zyrtari i lartë evropian. “Mbështetja jonë për Ukrainën dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy është e palëkundur”, përsëriti Michel. Ndryshe, tensionet midis Wagnerit dhe Moskës u rritën pasi themeluesi i grupit paraushtarak, Yevgeny Prigozhin, akuzoi ushtrinë ruse për sulm ndaj mercenarëve të tij dhe u kërcënua se do të hakmerret. Pas kësaj situate, autoritetet ruse lëshuan urdhër arresti ndaj Prigozhinit me akuzën për “rebelim të armatosur”. Ministria ruse e Mbrojtjes i mohoi akuzat për sulm ndaj kampeve të Wagnerit. Në një deklaratë këtë mëngjes, ministria u bëri thirrje të gjithë luftëtarëve të Wagnerit që të jenë të përmbajtur dhe të kontaktojnë autoritetet ligjzbatuese. Ndërkaq, presidenti rus Vladimir Putin, në një fjalim drejtuar kombit, e akuzoi Prigozhinin për tradhti, pasi forcat e grupit paraushtarak kaluan kufirin nga Ukraina në Rusi, duke hyrë në qytetin e Rostovit. Autoritet ruse në Moskë dhe qytete të tjera kanë shtuar masat e sigurisë në vazhdën e zhvillimeve të fundit. Prigozhin në muajt e fundit ka akuzuar vazhdimisht Rusinë se nuk e furnizon me armë të mjaftueshme grupin paraushtarak që ka luftuar përkrah ushtrisë ruse në Ukrainë. atsh
Rebelimi i Grupit Wagner, çështje e brendshme e Rusisë
RELATED ARTICLES