Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shënoi një rritje me 3.2 % në fund të tremujorit të dytë të vitit, ku ndikimin më të lartë e dhanë sektorët e shërbimeve dhe të prodhimit që kontribuan përkatësisht me 1.9 dhe 1.1 % rritje me bazë vjetore. BSH-ja, në raportin e publikuar sot mbi stabilitetin financiar, thekson se, aktiviteti ekonomik u mbështet nga konsumi final i popullatës, investimet e sektorit privat dhe ngushtimi i deficitit të llogarisë korrente. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe edhe tregu i punës u karakterizua nga zhvillime pozitive si rritja e punësimit, rënia e normës së papunësisë dhe rritja e pagave. Ndërsa politika fiskale ka mbetur në kahun konsolidues përgjatë gjithë periudhës, në kushtet kur të ardhurat fiskale janë rritur me ritëm më të lartë se shpenzimet. Në panoramën e përgjithshme të treguesve ekonomik, Banka Qendrore vëren se, presionet inflacioniste kanë ardhur në rënie, por norma e inflacionit mbeti mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë. Për këtë arsye, gjatë periudhës vijoi normalizimi i politikës monetare nga BSH-ja, e cila, në muajin mars rriti normën bazë të interesit në nivelin 3 %. Në linjë me ecurinë e flukseve valutore në bilancin e pagesave, me kontributin e veçantë të hyrjeve nga shërbimet e turizmit, kursi i këmbimit të lekut është mbiçmuar ndjeshëm dhe shpejt gjatë periudhës. Banka e Shqipërisë ka vijuar të zhvillojë ankande për blerjen e euros, sipas kalendarit të publikuar paraprakisht, me qëllim rritjen e rezervës valutore. BSH-ja thekson se sistemi bankar është i mirëkapitalizuar dhe likuid për të financuar biznesin dhe ekonominë në zhvillim.