Një oficer policie francez që qëlloi dhe vrau një shofer 17-vjeçar do të hetohet për vrasje vullnetare, pas dy ditësh zjarresh dhe protestash të dhunshme që plagosën shumë oficerë, thanë sot zyrtarët, sipas nbcnews. Rreth 40 000 oficerë policie do të vendosen gjatë natës për të shuar dhunën që përfshiu qytete dhe qyteza pas të shtënave. Vrasja e 17-vjeçarit, Nahel, mbiemri i të cilit nuk është bërë publik nga autoritetet apo familja e tij, gjatë një kontrolli ne trafik të martën u kap në video, duke tronditur vendin dhe duke ndezur tensione të mëdha midis të rinjve dhe policisë, në vendbanime dhe lagje të tjera të pafavorizuara rreth Francës. Protestuesit u vunë flakën makinave dhe ndërtesave publike në periferi të Parisit, dhe trazirat u përhapën në disa qytete dhe qyteza të tjera franceze. “Do të ketë shumë më tepër policë të pranishëm sonte”, tha ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin. Darmanin tha se 170 oficerë ishin plagosur në trazirat, por asnjë nga të plagosurit nuk ishte në rrezik për jetën. Prokurori i Nanterres, Pascal Prache tha se ai kishte kërkuar që oficeri të mbahej në paraburgim. Ky vendim do të merret nga një gjykatës tjetër. Oficeri që gjuajti një të shtënë të vetme tha se donte të parandalonte largimin e makinës dhe sepse kishte frikë se dikush mund të goditet nga makina, duke përfshirë veten ose kolegun e tij, sipas Prache. “Dy magjistratë janë emëruar për të udhëhequr hetimin”, tha Prache. Sipas sistemit ligjor francez, i cili ndryshon nga sistemet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, gjyqtarët shpesh caktohen për të udhëhequr hetimet. Aktivistët francezë thanë se e shohin ngjarjen e fundit si abuzim sistematik të policisë, veçanërisht në lagje si ajo ku jetonte Nahel, ku shumë banorë luftojnë me varfërinë dhe diskriminimin racor ose klasor. Zyrtarët qeveritarë e dënuan vrasjen dhe kërkuan të distancoheshin nga veprimet e oficerit të policisë. Presidenti francez, Emmanuel Macron e quajti vrasjen të pashpjegueshme dhe të pafalshme, dhe bëri thirrje për qetësi. “Asgjë nuk e justifikon vdekjen e një të riu”, u tha ai dje gazetarëve në Marsejë. Videot e të shtënave të shpërndara në internet tregojnë dy oficerë policie që mbështeten në dritaren e shoferit të një makine të verdhë përpara se automjeti të largohej, ndërsa një oficer qëllon në dritare. Videot tregojnë se makina më vonë u përplas me një shtyllë aty pranë. “Shoferi ka ndërruar jetë në vendngjarje”, tha zyra e prokurorit. atsh
Qeveria vendos 40 000 oficerë policie për të shuar dhunën
RELATED ARTICLES