Këshilli i Ministrave miratoi disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”. Sipas projektligjit, pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të fatit ngrihet Komisioni i Licencave për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve të paraqitura në lidhje me aktivitetin e lojërave të fatit. Bazuar në kriteret e licencimit të basteve sportive online, çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendas ose të huaj, që kërkon të pajiset me licencë duhet të ketë një shumë kapitali jo më pak se 40 milionë lekë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e ulët për të tërë periudhën e vlefshmërisë së licencës. Subjektet duhet të deklarojë burimin e kapitalit që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë për kategorinë baste sportive online, duhet të ketë 3 vite eksperiencë të paktën në 3 shtete të BE-së, dhe të ketë gjeneruar në vitin e fundit të paktën 2 miliardë lekë xhiro. Subjekti aplikues duhet të paraqesë pranë AMLF-së, për miratim, informacionin e detajuar lidhur me sistemin ku do të zhvillohen bastet sportive online, sistem që duhet të operojë mbi një server të monitorueshëm online nga AMLF-ja. Po ashtu, subjekti aplikues paguan një tarifë për aplikimin për licencë në vlerën 500 mijë lekë, e cila kalon në favor të AMLF-së dhe është e pakthyeshme pavarësisht aplikimit të suksesshëm apo jo të subjektit. Organizatori pranon pagesat dhe autorizon tërheqjet për bastet sportive online vetëm nëpërmjet agjenteve financiarë të autorizuar nga Banka e Shqipërisë. Sipas projektligjit, dhënia e licencës për ofrimin e basteve online do të jetë e kufizuar në jo më shumë se 10 subjekte në rang kombëtar. Përzgjedhja e subjektit kryhet nga Komisioni i Licencave, në përputhje me kriteret e vlerësimit, afatet, procedurën e konkurrimit dhe pikëzimin, të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për Financat. Po ashtu, licenca për të drejtën e organizimit të lojërave të “Lotarisë Kombëtare” jepet për një periudhë 10-vjeçare dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për Financat, në përputhje me parashikimet e këtij ligji. Për këtë kategori loje do të jepet vetëm një licencë. Operatorëve që do përfitojnë licencën, do t’u mbahet çdo vit 15% e të ardhurave të cilat parashikohet të shkojnë për financimin e projekteve ne fusha të ndryshme. Sipas qeverisë, nevoja e këtij projektligji erdhi pas evidentimit të adresave të paligjshme të basteve online. Ligji përcakton detyrimin e regjistrimit paraprak të çdo lojtari që do të marrë pjesë në baste sportive online si dhe të marrë e të ruajë të dhëna për identitetin e tyre për të paktën 3 vjet. Ruajtja e këtyre të dhënave të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Po ashtu, AMLF-ja duhet të mbajë një regjistër elektronik të personave për të cilët është vendosur moslejimi për t’u futur në ambientet e lojërave të fatit. Ky regjistër elektronik krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas përcaktimeve të ligjit në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore. Regjistri do të jetë i aksesueshëm nga të gjithë organizatorët e lojës së kategorisë përkatëse. Subjektet e licencuara për lojëra fati lejohen të sponsorizojnë skuadra sportive si dhe të bëjnë publicitet të aktiviteteve të tyre në vendet ku zhvillohen veprimtari sportive, me përjashtim të eventeve sportive të të gjitha disiplinave për kategoritë nën 21 vjeç. Të ardhurat e përfituara nga zbatimi i këtij ligji shërbejnë për krijimin e Fondit të Posaçëm si një zë më vete në buxhetin e AMLF-së, që përdoret me vendim të Këshillit të Mbështetjes së Projekteve. Ky fond shërben për mbështetjen e projekteve në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit, në bazë të kërkesës për financimin e projekteve të paraqitura nga institucionet shtetërore, pas marrjes së mendimit të institucioneve publike të fushës. Ligji përcakton se bastet sportive online mund të vendosen në faqe interneti, aplikacione ose platformë elektronike të dedikuar, të autorizuar dhe të monitorueshme të subjekteve të licencuara. atsh
Qeveria miraton: Baste online nga vetëm 10 operatorë
RELATED ARTICLES