Në Pogradec sapo ka përfunduar rikonstruksioni i Qendrës së Vizitorëve, në një prej pikave më panoramike buzë liqenit. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e shoqëruar edhe nga kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, inspektuan nga afër këtë qendër. Kumbaro tha se, “këtë qendër me një projekt të dedikuar do ta kthejmë në muze të natyrës për të gjithë qarkun e Korçës, një destinacion edukativ për fëmijët, dhe një vendqëndrim për studiuesit apo kërkuesit shkencor që duan të jenë pranë ekosistemit”. Pra, theksoi ministrja, “një vendtakim i ri ku bëhen bashkë natyra dhe turizmi, nën kujdesin e specialistëve të administratës së zonave të mbrojtura”. Kumbaro tha se, “këtu kemi hapësira për të bërë një muze të vogël të natyrës, duhet pak a shumë si modeli që kemi në qendrën e vizitorëve në Divjakë apo në qendrën e vizitorëve që kemi në Dajt. Pra të krijojmë dhe këtu një minimuze për të prezantuar të gjithë tipologjinë e faunës dhe florës së zonës. Ne do bëjmë një projekt, do t’i gjejmë financimet që ta bëjmë, që kjo aq më tepër në vendin ku ndodhet që është në pjesën e shëtitores, që edhe turistët sezonal, por edhe ata që duam t’i ftojmë jashtë sezonit, duhet të krijojmë këtu një pikë atraksioni. Pra detyra e drejtorisë është të bëjmë projektin, të gjejmë financimet dhe do ta bëjmë”. Kumbaro tha se, “kjo do të jetë një qendër vizitorësh, jo vetëm për Pogradecin, por për të gjithë zonat dhe për florën dhe faunën e qarkut. Oborri këtu mund të përdoret edhe për programin e Arteve dhe Zejeve që keni me shkollat, që është program që nëpër hapësira të ndryshme urbane të krijojmë hapësira ku shkollat mund të vijnë të bëjnë aktivitetin bujqësor, për të mbjellë, për të kuruar lulet, kompostimin e gjithçka. Pra të krijojmë një cikël natyror brendapërbrenda sepse ambienti është fantastik”. “Detyra jonë është t’i japim funksion si për pjesën publike, si për pjesën që mund të jetë një lloj pjese mikpritje dhe pjesën që të jetë e edukimit”, përfundoi ministrja. ATSH