Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca inspektoi një ditë më parë punimet që po kryhen në inkubatorin më të ri në shërbim të komunitetit në Korçë, për përpunimin e produkteve tipike të zonës. Krifca u shpreh se, ky investim i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bashkimit Evropian dhe bashkisë së Korçës do t’u mundësojë fermerëve të përpunojnë produktet e tyre të freskëta të mollëve, qershive e kumbullave për reçel, e më pas ta shesin me vlerë të shtuar në treg. Krifca tha se, ky është një shembull se si fermerët e zonës mund të angazhohen më shumë drejt përpunimit të produktit, si hapi i radhës i rritjes së konkurueshmërisë së produktit shqiptar në tregun e vendit dhe atë të eksportit. “Kjo është pjesë e një projekti ndërkufitar të iniciuar nga Qendra e Transferimit të Teknologjive Korçë së bashku me Malin e Zi dhe me Italinë. Bashkë me bashkinë e Korçës dhe me një grupim fermerësh ne krijojmë një shoqëri të bashkëpunimit bujqësor për t’i dhënë më shumë vlerë produkteve autoktone të zonës ai qershive, mollëve dhe kumbullave për t’i përpunuar e certifikuar më tej. Përmes grumbullimit të këtyre produkteve nga 10 fermerë me një sipërfaqe prej më shumë se 40 ha, mundësohet që cilësia e dytë dhe e tretë e produkteve që nuk kanë mundësi të dalin në treg, të përpunohen më tej në produkte të tjera dhe më pas të certifikohen e të dalin në një markë të tyre. Brenda qershorit ne do të kemi mundësinë ta finalizojmë këtë projekt”, tha Krifca. atsh