Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se qeveria shqiptare ka investuar dhe do të vazhdojë të investojë në forcimin e kapaciteteve të shkollave profesionale, në bashkëpunim dhe me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim ecjen me hapin e kohës dhe kërkesat e tregut dhe për t’i ofruar tregut të punës atë që kërkon. Ministrja Ibrahimaj ishte sot e pranishme në ceremoninë e përbashkët, me ambasadorin gjerman, Peter Zingraf, kryetarin e bashkisë Kamzë, Rakip Suli dhe drejtorin e KfW-së për Europën Juglindore dhe Turqinë, Klaus Müller, në nisjen e punimeve për ndërtimin dhe zgjerimin e qendrës së re multifunksionale për arsimin dhe formimin profesional në Kamzë. Ministrja Ibrahimaj informoi se shkolla profesionale e Kamzës është shkolla më e madhe profesionale në vend dhe ka rreth 1500 nxënës të regjistruar. “Këta të rinj kanë zgjedhur arsimin dhe formimin profesional, sepse kuptojnë që sot tregu i punës ka nevojë për profesionistë, që diploma e përgjithshme sot nuk është më ajo diplomë që të jep konkurrueshmërinë e duhur dhe setin e cilësive të duhura për të konkurruar në tregun aktual të punës”, u shpreh Ibrahimaj. Shkolla profesionale e Kamzës ka 8 drejtime, përfshirë edhe dy drejtimet që janë sot më të kërkuara në tregun e punës në vend, drejtimi i IT dhe turizmit. “Në 10 vitet e fundit tregu i punës është zhvilluar në mënyrë të jashtëzakonshme dhe aftësitë që kërkoheshin, qoftë edhe 5 vite më parë, janë komplet të ndryshme nga aftësitë që kërkohen sot. Ne sot jetojmë në një Shqipëri e cila ka nevojë për shumë të punësuar dhe të aftësuar në IT, ka shumë nevojë për të punësuar në turizëm, por jo me të njëjtat kapacitete që kërkoheshin 5 vite më parë. Sot qeveria po investon në porte, në aeroporte, në marina dhe të gjithë këto investime madhore që do të rrisin turizmin e vendit do të kenë nevojë për aftësi të veçantë që nuk lidhen vetëm me turizmin specifik dhe atë tradicional, pra me kuzhinën dhe me kulinarinë dhe shërbimet e hotelerisë, menaxhimin e hoteleve, por lidhen edhe me aftësi të cilat janë të lidhura ngushtë me këto zhvillime të reja të tregut të vendit tone”, tha Ibrahimaj. Ministrja më tej shtoi se aftësimi profesional ka të bëjë dhe me tregun e energjisë që po zhvillohet dhe do të zhvillohet më tutje, me instalimin e paneleve diellorë, apo dhe me fusha të tjera. “Janë të gjithë këto fusha që kërkojnë aftësi të veçanta dhe janë të gjithë këto profesione që tashmë janë bërë ndër më të paguarit në vend, janë mjaft më konkurrues se profesionet tradicionale, të ekonomikut apo të juridikut, që shumicat e të arsimuarve në vend kanë zgjedhur për vite me radhë. Kjo është dhe arsyeja pse qeveria shqiptare ka investuar dhe do të vazhdojë të investojë në forcimin e kapaciteteve të shkollave profesionale, në bashkëpunim dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, me qëllim që të ndjekim hapin e kohës dhe kërkesat e tregut dhe t’i ofrojmë tregut të punës atë që ai kërkon. Nga ana tjetër, kjo është dhe arsyeja pse në të gjitha shkollat profesionale ka një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me bizneset”, deklaroi Ibrahimaj. Ibrahimaj informoi se shkolla profesionale e Kamzës ka marrëdhënie me rreth 160 subjekte private të të gjitha kategorive, nga më të mëdhatë deri te më të voglat, ku studentët punojnë, kryejnë praktikat e tyre profesionale, por edhe punojnë me kohë të pjesshme gjatë kohës që ndjekin arsimin profesional. “Shkolla profesionale dhe arsimi profesional duhet parë si alternativë parësore pasi të gjithë studentëve i jep një bagazh dhe përparësi në tregun e punës në krahasim me arsimin e përgjithshëm. Dhe nuk do të thotë që ai që përfundon shkollën profesionale nuk do të ndjek universitetin, por do të thotë që do të fillojë universitetin me një set dhe një kapacitet shumë më të madh se sa ai që mbaron arsimin e përgjithshëm”, shtoi ajo. Projekti i qendrës multifunksionale parashikon ndërtimin e dy godinave të ndryshme, të cilat do të kenë si klasa, ashtu edhe laboratorë për të gjitha drejtimet e kësaj shkolle. Punimet pritet të përfundojnë në harkun kohor të 12 muajve.https://ata.gov.al/2022/09/28/qender-e-re-multifunksionale-per-formimin-profesional-ne-kamze/
Qendër e re multifunksionale për formimin profesional në Kamzë
RELATED ARTICLES