Me rërën kurative dhe vijën e gjatë bregdetare që po frekuentohet edhe nga më shumë pushues, Velipoja ofron shumëçka për turistët që vlerësojnë këtë sezon pastërtinë dhe organizimin të ngritur në një tjetër nivel. Me një shtrirje prej mbi 14 km, plazhi i Velipojës është ndër më të preferuarit për vizitorët vendas dhe të huaj, në të gjitha stinët. Velipoja njihet për rërën me efektet e saj kurative, ndërthurjen me hijeshi e detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, që e bëjnë për vete çdo vit pushues. Shumë prej tyre janë të përvitshëm në sezonin veror në Velipojë, të tjerë vijnë për herë të parë për t’u rikthyer vit pas viti.
“Dhe vjet ishte mirë, edhe parvjet, por sivjet është edhe më mirë. Me të vërtetë që është bukur plotëson kushtet dhe rëra është e mirë”, u shpreh një pushues.
Një tjetër pushues i cili e kishte frekuentuar këtë plazh edhe një vit më parë konfirmon se këtë vit është më mirë.
“Me të vërtetë kanë bërë jashtëzakonisht ndryshime. Kanë lënë zona publike. Kjo i vjen në ndihmë të gjithë atyre që nuk kanë mundësi të paguajnë plazhet private”, shtoi një tjetër pushues.
Qetësia dhe siguria në plazh është një tjetër element që vlerësohet nga pushuesit.
“Është policia detare, se ka qenë skandal vitet e tjera. Unë kam parë policë me biçikletë duke kaluar këtu, që është shumë mirë. Edhe pjesa e plazheve publike është shumë më mirë se vitet e tjera”, u shpreh një tjetër pushuese