Kjo provë klinike është një mundësi për të kontrolluar rritjen e numrit dhe për të parandaluar komplikacionet në të ardhmen.
Drejtoresha e QSUNT, Anxhela Paparizo vizitoi nga afër Shërbimin e Pediatrisë së Specialiteteve ku bisedoi me Dr. Eneda Balliun për këtë projekt kaq të rëndësishëm për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të vegjël.
Fëmijët 3–18 vjeç me miopi progresive mund të paraqiten deri më 31 mars 2026, për marrjen e medikamentit.
Dr.Eneda Balliu tha se “hedhja në sy në doza shumë të vogla të medikamentit tek fëmijët nga mosha 3-18 vjeç ka për qëllim që të parandalojnë ose ta mbajë konstante rritjen e numrit të miopiosë”.
“Ky projekt nuk zhvillohet vetëm në qendrën tonë, por zhvillohet edhe në tre qendra të Italisë në 3 të Anglisë, në një qendër të Polonisë dhe në tre qendra të Spanjës”, tha Balliu.
Dr.Balliu i bëri apel okulistëve në rrethe që t’i adresojnë fëmijët që plotësojnë kushtet për t’u përfshirë në këtë program.
“Ka shumë fëmijë të cilët nuk i identifikojmë dot sepse jemi një qendër e vogël, por bëjmë apel për të gjithë okulistët që janë në rrethe që të dresojnë këtu fëmijët që plotësojnë kushtet për t’u përfshirë në këtë program.
“Kushtet janë: nga mosha 3-18 vjeç, që kanë miopi që ka ardhur duke u rritur me kalimin e viteve, që kanë numër më të madh se 0.75, të mos ketë diferencë midis dy syve më shumë se 1.5, të mos jetë tensioni i syve më shumë se 21 dhe të mos ketë cilindër më shumë se 1.5 dhe të mos ketë xhama miopikë kontrollues”, tha Dr.Balliu.
Sipas saj, këta fëmijë të paraqiten në kabinet për të marrë medikamentin i cili ka rezultuar shumë efikas në kontrollimin e rritje së numrit të miopisë.
“Ky ilaç që do të hidhet në sy është njëpërdorimësh dhe do të hidhet çdo natë në sy për dy vite. Çdo tre muaj pacienti do të vijë përsëri në kabinetin tonë do bëjë ekzaminimet dhe do marrë ilaçin tjetër”, tha Dr.Balliu.





