Pas një gare që mblodhi 41 ekipe shqiptare dhe ndërkombëtare, sot 5 ekipet finaliste prezantuan vizionet e tyre për kampusin e ri universitar të Durrësit, një investim transformues për arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe jetën studentore në Shqipëri.

Synimi është krijimi i një hapësire të madhe e të bukur, ku arsimi, kërkimi shkencor, inovacioni, sipërmarrja, kultura dhe jeta studentore ndërthuren në një ekosistem të vetëm zhvillimi njerëzor e social.

Në garë ishin studio dhe arkitektë me reputacion ndërkombëtar, që sjellin vizione të ndryshme për mënyrën se si duhet të jetë kampusi i së nesërmes.

Projekti fitues u vlerësua nga juria pasi dëshmon se si peizazhi i infrastrukturës dhe zhvillimi urban mund të mblidhen bashkë në një kuadër koherent të aftë të orientojë rritjen me kalimin e kohës.

Projekti ofron një variacion të pasur kushtesh hapësinore duke krijuar një kampus me identitete të shumëfishta. Propozimi dëshmon një kuptim të thellë të vetë zonës dhe paraqet një kuadër realist për zhvillimin e ardhshëm.