Në zonën e Shushicës në Elbasan po realizohet rehabilitimi i zonave të degraduara natyrore, përmes mbjelljes së fidanëve, ndërtimit të pritave malore dhe zbatimit të zgjidhjeve inovative për mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e qëndrueshmërisë lokale.
Ky projekt, ADAPT 2, mbështetet nga Agjencia Suedeze Sida dhe Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).
Përfaqësuesi i IUCN, i pranishëm në inspektim, vlerësoi angazhimin për mbështetjen që bashkia Elbasan ka treguar në zbatimin e projektit.
“Ky është një model suksesi, dhe me fillimin e fazës së re rajonale, do të kemi mundësi të monitorojmë, vlerësojmë dhe përmirësojmë ndikimin e këtyre masave në komunitet. Në fillim ne kontaktuam autoritetet kombëtare për të zbatuar atë që ju e përmblodhët shumë mirë, zgjidhjet me bazë në natyrë, zgjidhjet alternative duke u përpjekur të përmirësojmë jetët e njerëzve këtu, përtej mjedisit në vetvete. Ka qenë një proces i gjatë, por përgjatë gjithë procesit, shërbimet tuaja, e gjithë bashkia juaj na ka mbështetur gjithmonë dhe sot jam krenar të them se ky nuk është projekti ynë, por është projekti juaj”, tha ai.
“Mbjellja e 8,500 pemëve dhe rehabilitimi i këtyre zonave do të ketë një ndikim të madh jo vetëm në mjedis, por edhe në cilësinë e jetës së banorëve të kësaj zone”, tha ajo.
Në planin e zbatimit të këtij projekti, përfshihet mbjellja e 8,600 fidanëve në një sipërfaqe prej 8.2 hektarësh, duke përfshirë pisha dhe bimësi të tjera qëndruese. Ndërtimi i tetë pritave malore për të frenuar erozionin dhe përmirësuar cilësinë e tokës si dhe eksperimentimi me bimësi të reja, si lajthia dhe pemët frutore, për të ndihmuar ekonominë lokale.
Ky projekt, pjesë e ADAPT 2, shënon fillimin e sezonit të ri të mbjelljeve dhe një angazhim të përbashkët për një Elbasan më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.