Ministrat e Brendshëm të BE-së u mblodhën sot në një përpjekje për të thyer bllokimin e një pakete gjithëpërfshirëse të reformës së migracionit. Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser tha në Bruksel se ishte shumë e sigurt se mund të gjendej një kompromis për pikën kryesore të bllokimit, duke zbatuar rregulloret gjatë krizave të migracionit, të cilat Berlini do të ishte i gatshëm t’i mbështeste. Rregullorja e krizës, në rast të një fluksi të madh migrantësh, është pjesë e reformës së gjerë të migracionit dhe azilit. “Ne kemi përparuar në negociatat brenda natës. Kështu që kam shumë besim se në fund do të kemi një rezultat të mirë”, tha Faeser. Zyrtarët zhvilluan dje në mbrëmje bisedime, ndërsa Berlini, i cili është fajësuar nga disa vende për ngadalësim te procesit, sinjalizoi gatishmërinë për kompromis mbi këtë çështje. Komisionerja e BE për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson gjithashtu u shpreh optimiste se ministrat mund të thyejnë ngërçin. “Unë shpresoj se ministrat janë gati sot për të ndërmarrë hapin e fundit”, tha Johansson. Faeser tha se Gjermania ka këmbëngulur për zbatimin e një mekanizmi të rreptë dhe rregullave speciale, dhe se nevojiten më shumë bisedime për mbrojtjen e familjeve që kërkojnë azil. Ministri i Emigracionit i Luksemburgut, Jean Asselborn tha se vendi i tij mbështet thirrjen e Berlinit për një mbrojtje më të mirë për familjet së bashku me Irlandën dhe Portugalinë. Propozimi parashikon afate më të gjata për regjistrimin e kërkesave për azil në kufijtë e jashtëm të BE-së, si dhe mundësinë e uljes së standardeve për strehim dhe kujdes. Për më tepër, azilkërkuesit mund të detyrohen të qëndrojnë në ambientet e pritjes pranë kufirit për më shumë se 12 javë. Rregullat e emergjencës gjithashtu mund të bëjnë që vendet e BE-së, ku mbërrijnë fillimisht migrantët, të lejojnë më shumë udhëtime drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera, duke shkaktuar kritika në Berlin. Një tjetër arsye pse Gjermania deri më tani nuk ka rënë dakord për dispozitën e krizës janë shqetësimet se standardet për azilkërkuesit do të uleshin shumë.