Qeveria po punon për nxitjen e punësimit të të rinjve përmes arsimit profesional. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se, “krijimi i aftësive profesionale është me rëndësi për zhvillimin e tregut të punës”. Nën cilësinë e kryetares, Ibrahimaj, drejtoi sot mbledhjen e radhës të Këshillit të Investimeve mbi disponueshmërinë dhe cilësinë e fuqisë punëtore, bazuar edhe në gjetjet e anketimit të realizuar me qindra biznese në vend. “Kemi ndërmarrë një sërë politikash në funksion të zhvillimit dhe reformimit të arsimit dhe formimit profesional në vend”, tha ministrja. Ibrahimaj bëri të ditur se, po punohet për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, ku një nga shtyllat bazë është rritja e aftësive digjitale. “Programet e nixtjes së punësimit duhet të shfrytëzohen më shumë nga biznesi dhe po kështu baza e të dhënave për vendet e lira që ofrohen përmes Zyrave të Punës. Forcimi i këtij bashkëpunimi do të ulë hendekun mes personave të papunë, atyre që nuk kërkojnë punë dhe kërkesave të biznesit për të punësuar”, deklaroi Ibrahimaj. Ministrja tha se, për t’iu ardhur në ndihmë të rinjve, kryesisht të moshës 15-29 vjeç do të nisim së shpejti pilotimin e programit të Garancisë Rinore, i cili po zbatohet në bashkëpunim me BE, duke synuar rritjen e pjesëmarrjes në forcat e punës. https://ata.gov.al/2022/10/26/ibrahimaj-programet-e-nixtjes-se-punesimit-per-te-rinjt-te-shfrytezohen-me-shume-nga-biznesi/