Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” konsiderohen një nga ngjarjet më të mëdha sportive që pritet të organizohen në Kosovë.

Përveç aspektit sportiv, ato shihen edhe si një mundësi e rëndësishme për zhvillim ekonomik, përmirësim të infrastrukturës dhe rritje të vizibilitetit ndërkombëtar të vendit. Gazetari italian Fabio Donfrancesco, në një intervistë për KosovaPress, vlerëson se organizimi i këtyre lojërave mund të shërbejë si një moment i rëndësishëm për promovimin e Kosovës në Evropë dhe më gjerë.

Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 shihet si një moment i rëndësishëm për Kosovën jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë zhvillimor. Përvoja e vendeve të tjera që kanë organizuar këtë ngjarje tregon se Lojërat Mesdhetare shpesh shërbejnë si katalizator për investime në infrastrukturë, rritje të turizmit dhe promovim më të madh ndërkombëtar. Në këtë kuadër, pritjet janë që Prishtina dhe qytetet tjera pritëse të përfitojnë nga projektet që do të realizohen në prag të këtij organizimi, duke e shndërruar ngjarjen në një mundësi për zhvillim afatgjatë të vendit.