Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIPrezantohen 4 produktet e para “Made in Albania”

Prezantohen 4 produktet e para “Made in Albania”

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca prezantoi sot certifikimin e 4 produkteve të para të prodhimeve të origjinës, i cili sipas saj rrit e mbron markën “Made in Albania”. “Sot kemi kënaqësinë të prezantojmë rezultatin më se të kënaqshëm të një pune të gjatë për të identifikuar, regjistruar, mbrojtur në treg dhe ofruar tek konsumatori katër produktet e para të certifikuara për treguesit gjeografikë, emërtimin e origjinës dhe specialitetin tradicional të garantuar”, tha ajo. Ministrja tha se, “vitet e fundit në Shqipëri, produktet tradicionale kanë filluar të njihen gjithnjë e më shumë nga konsumatorët. Për më tepër, zhvillimi i agroturizmit si një trend i qëndrueshëm ka ndikuar në zhvillimin dhe promovimin e produkteve tradicionale, duke krijuar një lidhje natyrore midis agroturizmit, fermave turistike dhe prodhuesve vendas”. Ajo shtoi se, kjo është arsyeja përse për ne produktet cilësore, të cilat prodhohen në një territor të caktuar apo me anë të një metode tradicionale, janë me të vërtetë në themelin e përpjekjeve tona për të forcuar qëndrueshmërinë ekonomike të fermave në zonat rurale. “Studimet e thelluara kanë treguar se diferenca e çmimit, që një konsumator është i gatshëm të paguajë për produkte të cilat vijnë nga një territor i caktuar apo që janë produkt i një mënyre tradicionale prodhimi, është në vendet e Bashkimit Evropian në nivelet e 10% deri në 30% më shumë se sa produktet e prodhuar në mënyrë konvencionale”, theksoi Krifca. Ministrja tha se, “analizat ekonomike në Shqipëri tregojnë se konsumatorët janë të gatshëm që të paguajnë 30-50% më shumë për produktet që vijnë nga një zonë e identifikuar për cilësinë e veçantë të prodhimeve. Për produkte specifike si mjalti p.sh. kjo diferencë në çmim është edhe më e lartë”. Krifca u shpreh se, këto produkte përfaqësojnë një pjesë të traditës dhe identitetit kombëtar, gjë që e bën një komb apo shtet të njohur në botë. “Ato kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, promovojnë ofertën turistike, mundësojnë punësim më të lartë direkt dhe indirekt, kontribuojnë në zhvillimin më të barabartë rajonal dhe rural, parandalojnë migrimet e popullsisë, si dhe mundësojnë mbrojtjen e njohurive tradicionale”, tha ajo. Krifca theksoi se, “në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kemi punuar intensivisht dhe cilësisht për hartimin e bazës ligjore në përputhje më rregulloret e BE-së, lidhur me skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore, që garantojnë, cilësinë e produktit, lidhjen me mjedisin gjeografik dhe origjinën, si dhe ruajtjen e traditës”. “Krahas punës teknike dhe bashkëpunimit me fermerët, me ndryshimet në ligjin për “Pronësinë Industriale”, plotësimin me aktet nënligjore lidhur me treguesit gjeografikë, si edhe miratimin e Ligjit dhe akteve nënligjore “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”, i hapëm rrugë njohjes dhe certifikimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, sipas përcaktimeve të BE-së”, shtoi ajo. “Për më shumë me anë të sistemit të gjurmueshmërisë së produktit, lidhja me origjinën dhe mjedisin gjeografik dhe tradita në përzgjedhjen e produktit, rrisin garancinë për konsumatorin shqiptar si dhe nxisin fuqimisht bashkimin e fermerëve prodhues, rrisin punësimin e të rinjve, fuqizojnë cilësisht eksportet tona si dhe rivitalizojnë traditën e hershme të prodhimit dhe përpunimit në Shqipëri”, shtoi ajo. Ministrja shtoi se, “aktualisht, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, janë të regjistruara si produkte të mbrojtura me Tregues Gjeografik, disa produkte si: Gështenja dhe Mjalti i Gështenjës së Tropojës, Gështenja dhe Mjalti Gështenjës së Reçit, Boronica e Bjeshkëve të Tropojës dhe e Bjeshkëve Kuksiane, Jufka Dibrane, Mishi i Dhisë së Hasit, etj”. Ajo nënvizoi se, “deri më tani, me mbështetjen e projekteve të financuara nga Qeveria Gjermane me anë të GIZ, nga FAO dhe nga Qeveria Zvicerane, por veçanërisht falë punës së palodhur të fermerëve shqiptarë të organizuar në grupe prodhuesish, janë identifikuar rreth 40 produkte potenciale, në të gjithë territorin e vendit”. Krifca informoi se, “puna ka filluar me 4 produktet e para, të cilat janë regjistruar në regjistrat përkatës në Ministri dhe në Drejtorinë e Pronësisë Industriale, si dhe kanë kaluar procesin e verifikimit të përputhshmërisë me karakteristikat e produktit duke mundësuar kështu vendosjen e logos kombëtare dhe prezantimin e tyre në treg”. Përkatësisht këto produkte, të cilat do të kemi mundësinë ti shohim konkretisht sot, janë: Djathi “Mishavina e Bjeshkëve të Këlmendit”, (Emërtim Origjine e Mbrojtur); Mjalti i Bedunicës, Përmet (Specialitet Tradicional i Garantuar); Djathi i ziem, Hot, Malësi e Madhe (Specialitet Tradicional i Garantuar); Djathi i dhisë, bjeshkët e Rrunjës, Dibër (Specialitet Tradicional i Garantuar). Krifca u shpreh se, ky zhvillim nuk mbaron këtu dhe tashmë po punojmë edhe me produktet e tjera krenari të historisë sonë të prodhimit bujqësor, përfaqësuesit e të cilëve i kemi këtu, si: Vaji “Valm”, vaj i prodhuar me ullinjtë autoktonë të zonës së Elbasanit. Një model i krijimit dhe funksionimit të bashkimit të prodhuesve; Vaji i Ullirit të zonës së Tiranës, me ullinjtë autoktonë të zonës, një tjetër model suksesi i bashkimit dhe promovimit të produkteve të zonës, nga vëllezërit Allgjata, Vaj ulliri “Kalinjot”, ullinjtë autoktonë të Vlorës, Molla e Dvoranit, si një produkt me emërtim origjine të mbrojtur, në bashkëpunim me shoqatën ADAD Malore, Kumbulla e thatë e Dibrës, Glikotë e Përmetit, Domatja e Shëngjergjit, Gjeli i Detit i Baldushkut, etj. Ajo shtoi se, së bashku kemi bërë një punë të madhe, por edhe më shumë mbetet për t’u bërë, sepse regjistrimi është vetëm hapi i parë i një përpjekjeje të vazhdueshme, e cila kërkon angazhimin e të gjithë zinxhirit, duke filluar që nga fermeri, shërbimi këshillimor, pushteti lokal, organizatat/shoqatat e ndryshme në zonë, ekspertë të fushës, e deri tek institucionet qendrore. “Mbështetja jonë do të vazhdojë përmes trajnimeve, këshillimeve por edhe përmes mbështetjes direkte në krijimin e grupeve të prodhuesve, në hartimin e dokumentacionit, deri në fazën e regjistrimit, por nuk do të mbarojë me kaq”, tha ministrja. Ajo u shpreh se, “shërbimi këshillimor dhe AKU do të asistojnë grupet për të vazhduar procesin dhe për të mos u ndalur vetëm me regjistrimin. Promovimi i produkteve cilësore, bashkëpunimi me agroturizimin, turizmin rural, do të jetë një tjetër sfidë për ministrinë e bujqësisë dhe zhvillimit rural”. Djathi “Mishavina e Bjeshkëve të Kelmendit”, Vermosh, Kelmend (EOM) Djathi Mishavinë, është përdorur me këtë emër për më shumë se 100 vjet, por mendohet që ka një histori edhe më të hershme. Është një produkt që përdoret për të respektuar mikun dhe për t’u ndjerë krenarë, i lidhur me traditën blegtorale të zonës dhe pozitën gjeografike, me temperatura të përshtatshme për ruajtje. Kullotat e Kelmendit janë të tipit alpin e subalpine me lartësi 1500 – 2400 m, mbi nivelin e detit, me specie kryesore gramore. Djathi Mishavinë, prodhohet me qumësht të pavluar (të papasterizuar), nga bagëtitë (lopë dhe dele), që kullosin gjatë verës në kullota alpine. Karakteristikat specifike të djathit , janë struktura, copëzat e imta, aroma karakteristike, shija delikate, si dhe niveli i lartë i tretshmërisë. Mjalti i Bedunicës, Përmet (STG) Është lulja e Bedunicës, aq e rrallë, që ndodhet me shumicë në zonën e Frashërit dhe parkut kombëtar të Bredhit të Hotovës, ajo që e bën këtë mjaltë kaq të veçantë me aromën, shijen dhe veçoritë e tij të rralla. Lulja e Bedunicës, është e vetmja lule (në periudhën gusht dhe shtator), që rritet në malin e Teprit, Gostivisht, Përmet në rreth 1500m mbi nivelin e detit. Shumë pak familje në zonën e Frashërit, dhe fshatit Gostinisht në Parkun Kombëtar të Hotovës prodhojnë këtë mjaltë, pasi shumica e luleve të Bedunicës gjenden në zona malore që janë të vështira për t’u arritur. Bletët jetojnë në një zonë me bimësi krejtësisht të egër, dhe larg pemëve frutore, larg fshatit. SHBB “Mjalti i Bedunicës, Gostivisht”, aktualisht me 7 anëtarë, prodhon këtë lloj mjalti. Në këtë rajon, kosheret e bletëve vendosen pranë shkurreve dhe luleve të bedunicës për të lehtësuar vjeljen. Bletët e mbledhin nektarin në një zonë të egër, larg pemëve frutore të kultivuara, larg zonave të banuara. Bletët mbahen në koshere konvencionale prej druri drejtkëndëshe. Mjalti mblidhet me dorë gjatë tetorit dhe nxirret duke përdorur një centrifugë manuale. Tymosja e koshereve bëhet duke prodhuar tymin nga materiale bimore me strukturë celuloze, në mënyrë që mos ti kalojnë mjaltit aroma të pakëndshme. Mjalti ka ngjyrë të verdhë në të gjelbër, me një aromë të fortë dhe konsistencë të trashë që lidhet me përqindjen e ulët të lagështisë, rreth 16%. Djathi i ziem, Hot, Malësi e Madhe (STG) “Djathi i ziem” është një traditë e vjetër e Shqipërisë së Veriut, dhe që vazhdon të prodhohet edhe sot në sasi të kufizuar. Sot, ky gatim unik i veriut të Shqipërisë është ndër specialitetet kryesore të restoranteve me gatime tradicionale shqiptare. Shoqëria e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) “Djathi i Ziem Veleçik”, aktualisht me 10 anëtarë, vazhdon të prodhojë këtë specialitet duke respektuar mënyrën tradicionale të përgatitjes së tij. Termi “i Ziem” është i lidhur me karakterin specifik të përgatitjes së tij, një një gatim i veçantë që është trashëguar gojarisht brez pas brezi. Prodhohet nga qumështi i lopës i grumbulluar në zonën përreth Malësisë së Madhe: Kastrat, Shkrel dhe Kelmendi i Poshtëm. Çdo fazë e procesit të prodhimit respekton mënyrën tradicionale të prodhimit, pavarësisht modernizimit të pajisjeve. Në llojin e tij më tradicional, produkti duhet të jetë marrë nga qumësht lope i sapomjelë, që vjen i papërpunuar në punishte. Karakteristikat specifike të djathit janë struktura e tij e butë dhe elastike, si edhe shija delikate e pak e athët. Kjo recetë ka qenë rezervuar për mysafirë specialë dhe vetëm gratë e shtëpisë dinin ta përgatisnin dhe e trashëguan tek më të rejat. Anëtarët e grupit të prodhuesve dhe banorë të tjerë të zonës, dëshmojnë se në familjet e tyre djathi i ziem është përgatitur për më shumë se një shekull dhe gatuhej vetëm kur në shtëpi vinin mysafirë të rëndësishëm. Është një gatim mjaft kalorik, i përshtatshëm për zonat e ftohta karakteristikë e veriut të Shqipërisë, me temperatura relativisht të ulëta. Mënyra e prodhimit dhe përgatitjes ndryshon nga të gjithë djathërat e tjerë të freskët. Produkti ndryshon nga djathërat e tjerë nga struktura e tij elastike dhe shija pak e athët. Ai nuk shërbehet i freskët, por i gatuar. Serviret i ngrohtë, pa lejuar që të ngrijë. Djathi i dhisë, bjeshkët e Rrunjës, Dibër (STG) Djathi i dhisë bjeshkët e Rrunjës, prodhohet nga SHBB “Dhija autoktone e Bulacit”, në Muhur Dibër, e përbërë nga 7 anëtarë. Ai prodhohet nga qumështi i freskët i dhive të Bulacit, të grumbulluar nga barinjtë që i mbajnë dhitë në bjeshkët e Runjës, gjë që i jep një aromë të veçantë të qumështit të bjeshkëve, si rezultat i sistemit kullosor dushk, shkozë, kullotat alpine dhe mënyrës tradicionale të përpunimit. Historia e prodhimit të djathit fillon 60-70 vjet më parë nga gjyshja e familjes Voka, që e grumbullonte dhe përpunonte qumështin direkt në bjeshkët e Runjës. Prodhimi i djathit fillon nga muaji maj deri në mes të tetorit duke përpunuar qumështin e grumbulluar (dallohet për rrezen e lartë rreth 15 kg/kv). Djathi ka ngjyrë të bardhë, të njëtrajtshme dhe aromën e këndshme karakteristike të qumështit të dhisë nga bjeshkët. Emri “Djathi i dhisë, bjeshkët e Runjës”, i rezervohet djathit që prodhohet ekskluzivisht nga qumështi i dhisë së Bulacit, që bën pjesë në racat autoktone, regjistruar në Katalogun e Burimeve Gjenetike Shtazore të Fermës në Shqipëri, të vitit 2008. Ekotipet vendase të dhisë janë krijuar ndër shekuj falë pasionit e punës së blegtorëve. Njihet, që në periudhën e Skënderbeut ka pasur rreth 3 000 krere dhi, që janë trashëguar përmes përzgjedhjes së vazhdueshme të gjeneratave dhe sot kemi ekotipe vendase që përbëjnë një pasuri të shkëlqyer gjenetike – tradicionale. Zona njihet për traditën qindravjeçare të mbajtjes së dhive në këtë territor (bjeshkët e Runjës 400 – 1 700 m lartësi), si dhe në shfrytëzimin e sistemit kullosor dushk, shkozë, kullotat alpine. Të gjitha fermat e përfshira në këtë territor kanë të përbashkët pikërisht shfrytëzimin e këtij sistemit kullosor. Dhitë i rezistojnë temperaturave të ulëta të zonës dhe dalin të kullosin edhe kur është shumë ftohtë. ATSH

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments