Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka kërcënuar se Pekini mund të përdorë forcën për të marrë Tajvanin. Në fjalimin e tij në hapje të Kongresit të XX Kombëtar të Partisë Komuniste që duhet t’i japë atij një mandat të tretë, Xi Jinping theksoi se ata synojnë “ribashkim” paqësor me Tajvanin, por pa përjashtuar përdorimin e forcës. “Tajvan? Kina synon ribashkimin paqësor, por nuk mund të përjashtojë përdorimin e forcës kundër forcave të jashtme dhe atyre pak separatistëve që kërkojnë pavarësinë e ishullit. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për ribashkim paqësor me sinqeritetin dhe përpjekjen më të madhe, por kurrë nuk do të premtojmë se do të heqim dorë nga përdorimi i forcës dhe do të rezervojmë të drejtën për të marrë të gjitha masat e nevojshme. Masa të tilla do të drejtohen ekskluzivisht kundër ndërhyrjes së forcave të jashtme dhe atyre pak separatistëve që kërkojnë pavarësinë e Tajvanit dhe aktivitetet e tyre separatiste, dhe jo kundër bashkatdhetarëve tanë tajvanezë”, tha ai. Një mandat i tretë si udhëheqës i Partisë Komuniste Kineze (PKK) do t’i hapë rrugën atij për t’u bërë lideri më i fuqishëm që nga Mao Ce Duni. Rreth 2,300 delegatë janë mbledhur për të zgjedhur drejtuesit e partive dhe për të debatuar politikat kryesore. Xi aktualisht mban tre pozicionet më të fuqishme në Kinë, sekretar i përgjithshëm i PKK, kryetar i forcave të armatosura të vendit dhe president. Ai pritet të rinovojë mandatin për dy titujt e parë në kongres.https://lajme.rtsh.al/artikull/kercenon-presidenti-i-kines-tajvani-nuk-mund-te-perjashtojme-perdorimin-e-forces
Presidenti i Kinës: Nuk mund të përjashtojmë përdorimin e forcës
RELATED ARTICLES