Flakadanë u ndezën edhe pranë shtëpisa së heroinës Nënë Shkurte dhe tek bunkeri i komandantit Adem Jashari. Nga këto tri drejtime, nga kullat e Jasharajve, nga shtëpia e Nënës Shkurte dhe nga bunkeri, pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës u nisën drejt një pike të përbashkët, duke simbolizuar bashkimin e forcave që luftuan për lirinë e vendit.
Në këtë marshim simbolik u bashkuan edhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët konsiderohen vazhdimësi e Ushtrisë së Kosovës si dhe qytetarë, nxënës dhe të rinj nga kjo trevë. Të gjithë së bashku marshuan drejt vendit ku ranë dëshmorët e kombit.
Nxënësit e shkollës “Hamzë Jashari” u rreshtuan me respekt para varrezave për të bërë nderime. Ata vendosën lule një nga një mbi varret e heronjve të familjes Jashari, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për sakrificën e tyre.
Flakadanët e ndezur gjatë ceremonisë simbolizojnë përhapjen e zjarrit të lirisë dhe të luftës çlirimtare gjithandej Kosovës.
Ndërsa, zjarri më i madh që ndizet gjatë kësaj nate përfaqëson zjarrin e pushkës së komandantit legjendar Adem Jashari, simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri.





