Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka ftuar të gjithë ata që shkojnë për pushime drejt Jugut, të ndalen në Porto Palermo, ku po zhvillohet festivali i organizuar nga violinisti Olen Cesari. Porto Palermo Festival ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe është kthyer në një destinacion të qëndrueshëm kulturor, që mbledh rreth vetes artistë nga më të mirët jo vetëm shqiptarë, por edhe ndërkombëtarë. “Ndaj mos harroni, këtë fundjavë Porto Palermo Festival do të sjellë të tjera surpriza. Eda Zari e Elina Duni do të shkëlqejnë në kala”, shkruan ministrja Margariti, në rrjetet sociale. Më tutje ajo kujton të shkarkohet aplikacioni TEA, në të cilin përfshihet informacion për gjithë sezonin artistik e kulturor veror. Në këtë edicion të tretë të festivalit, temë qendrore është mbrojtja e mjedisit, e për këtë arsye janë organizuar dhe pastrime të ambientit rrotull kalasë, nga grupe të rinjsh vullnetarë. Porto Palermo Festival nisi më 14 korrik dhe do të vazhdojë çdo fundjavë deri më 14 gusht. atsh