Polonia do t’i lejoj qytetarët e saj të japin mendimin e tyre mbi reformat e planifikuara në politikën e azilit të BE-së, duke përfshirë nëse duhet të jetë e detyrueshme për vendet anëtare që të marrin një kuotë migrantësh, një propozim i kundërshtuar ashpër nga Varshava. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki njoftoi sot vendimin, duke thënë se qytetarët do të pyeten nëse e mbështesin pranimin e mijëra migrantëve të paligjshëm nga Lindja e Mesme dhe Afrika, nën mekanizmin e pranimit të detyrueshëm të vendosur nga burokracia evropiane. Rezultati i referendumit, i cili do të mbahet më 15 tetor, në të njëjtën ditë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Polonisë, nuk do të ketë asnjë efekt në planet e reformës së BE-së. Më 8 qershor, ministrat e Brendshëm të BE-së votuan në favor të reformave gjithëpërfshirëse të sistemit të azilit me një shumicë mjaft të madhe. Sipas këtyre planeve, kërkesat për azil të migrantëve nga vendet me shkallë njohjeje më të vogël se 20% do të shqyrtohen në kufijtë e jashtëm të BE-së brenda 12 javësh. Kompromisi parashikon gjithashtu që pranimi i refugjatëve të mos jetë më vullnetar, por i detyrueshëm. Vendet që nuk duan të pranojnë refugjatë do të detyrohen të paguajnë kompensim. Krahas Hungarisë, partia në pushtet e Polonisë, Ligji dhe Drejtësia (PiS), në detyrë që nga viti 2015, ka kundërshtuar me forcë këto plane, duke kërkuar që çdo shtet anëtar duhet të vendosë vetë se si të mbështesë vendet e BE-së që marrin një pjesë veçanërisht të lartë të migrantëve. ATSH
Polonia referendum për reformat e planifikuara në politikën e azilit të BE
RELATED ARTICLES