Polonia ka kërkuar largimin e menjëhershëm të mercenarëve të “Wagner” dhe migrantëve të paligjshëm nga Bjellorusia, tha ministri i Brendshëm, Mariusz Kaminski. Situata në Bjellorusi ishte pjesë e bisedimeve sot midis Kaminski dhe homologëve të tij nga tri shtetet baltike. Kaminski, tha se presioni në kufi ishte rritur në javët e fundit për shkak të migrantëve që përpiqeshin të hynin në Poloni. Ai shtoi se stacionimi i disa mijëra mercenarëve nga grupi “Wagner” në Bjellorusi ishte një element i ri që shtoi tensionet në rajon. “Dy gjëra janë të nevojshme për të stabilizuar situatën në kufirin tonë me Bjellorusinë”, tha Kaminski. “Ne kërkojmë që regjimi i Lukashenkos të urdhërojë menjëherë largimin e “Wagner” nga Bjellorusia dhe që migrantët e paligjshëm, të cilët janë organizuar nga shërbimet e sigurisë bjelloruse, të largohen menjëherë nga zona kufitare dhe të kthehen në vendet e tyre të origjinës”, tha ai. Grupi “Wagner”, një organizatë mercenare ruse e udhëhequr nga i ndjeri, Yevgeny Prigozhin, organizoi një rebelim 24-orësh kundër komandantëve ushtarakë rusë, i cili përfundoi pasi lideri bjellorus, Alexander Lukashenko, ra dakord të ndërmjetësonte midis Prigozhin dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Prigozhin ndaloi marshimin e tij në Moskë pasi atij dhe trupave të tij iu premtua një strehë e sigurt në Bjellorusi. Udhëheqësi mercenar, si dhe këshilltari i tij Dmitry Utkin, vdiq javën e kaluar në një aksident ajror në Rusinë perëndimore.
Polonia kërkon largimin e “Wagner” nga Bjellorusia
RELATED ARTICLES