Morava,në moshë të vogël u zhvendos në Tiranë familjarisht ku u detyrua të punonte për të siguruar sadopak jetesën. Falë pasionit ndaj letërsisë, ai arriti të botojë poezitë e para në gazetën “Puna” dhe revistën “10 Korriku”. Në vitin 1971, në kuadër të përndjekjes së “Grupit armiqësor të letrarëve të rinj” që kryesohej nga Bedri Myftari, u akuzua dhe Zyhdi Morava, së bashku me të rinj të tjerë të talentuar si Ahmet Golemi, Konstandin Dhamo, Roland Gjoza etj. Atij iu hoq e drejta e botimit dhe u dërgua në fermën Gjergj-Dimitrov e më pas i internuar në fshatin Yrshek, ku punoi në kushte tejet të vështira. Në mars të 1978, Zyhdi Morava arrestohet dhe dënohet me 8 vjet për “agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor”. Dënimin e kreu në kampin e punës së detyruar në Spaç për 4 vjet dhe u lirua më 1982 falë një amnistie. Deri në vitin 1991 ka punuar në ngarkim-shkarkim, në ferma, si roje nate etj. Me ardhjen e demokracisë, Zyhdi Morava u angazhua në Sindikatat e Pavarura, duke qenë gjithashtu redaktor i gazetës “Sindikalisti”, dhe më pas duke drejtuar gazetën “E vërteta”. Ka punuar si zëdhënës në Bashkinë e Tiranës. Më pas u caktua sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë e më pas kryetar i saj në vitin 2005. Derisa ndërroi jetë më 9 korrik 2010, Zyhdi Morava botoi 21 libra, ku ndër më kryesorët janë “Autoportret”, “Shpirtra të uritur”, “Ujku i natës së fundit”, “Hingëllimat e shiut”, “99 poezi dashurie”.