Galeria Kombëtare e Arteve çeli në Shkodër ekspozitën e projektit “Psikologjia shqiptare në artet pamore”.
Ekspozita “Idromeno, Shkodra mbretëresha e arteve dhe artistët e Alpeve” prezanton 113 vepra arti nga 76 artistë të njohur nga trevat e Shkodrës, Lezhës, Malësisë së Madhe, Mirditës, Laçit, Kukësit, Pukës, Peshkopisë dhe Tropojës, dëshmi e ndikimeve perëndimore dhe e zhvillimit të artit modern në Shqipëri.
Kjo ekspozitë ndërton një hapësirë vizuale të veçantë duke nxjerrë në pah tiparet unike të qytetit të Shkodrës dhe duke paraqitur vepra të rëndësishme të artistëve të hershëm shqiptarë. Nën ndikimin e frymës perëndimore, këto vepra shënojnë lindjen e artit laik dhe modern shqiptar, duke u shkëputur nga arti tradicional i lidhur me tematika fetare.