Falë gjakut të dëshmorëve dhe luftës heroike të UÇK-së himnin kombëtar e dëgjojmë dhe e përdorim sot lirisht. Kështu u tha me rastin e 24-vjetorit të rënies së komandantit të Brigadës 113 Mujë Krasniqi dhe të 41 dëshmorëve të kombit të rënë, organizuar nga Shoqata e Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së. Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari tha se kjo është një datë e rëndësishme jo vetëm në historinë e popullit shqiptar, por edhe në luftën e UÇK-së. “Nuk mjafton një ditë, nuk mjafton një akademi përkujtimore për të thënë deri diku veprimtarinë e secilit dëshmor që po përkujtojmë sot, në veçanti të komandant Mujë Krasniqit, sepse mendoj që obligim njerëzor, moral dhe kombëtar është që historianët e nderuar ta shkruajnë historinë reale të luftës së lavdishme të UÇK-së dhe historinë reale për secilin dëshmor që ka rënë në betejat e lavdishme të UÇK-së, duke iu dhënë vendin meritor”, ka thënë Jashari. Ai ka cituar veprimtarin e madh të çështjes kombëtare Hasan Prishtina para shumë vitesh, duke thënë se nuk i kanë marrë armët për të çliruar një fshat, lagje, apo regjion, por për të çliruar tokat e pushtuara dhe për të bërë të mundshëm bashkimin me Shqipërinë. “Ky mendoj se që ka qenë edhe amaneti i komandant Mujë Krasniqit, ky ka qenë amaneti i çdo dëshmori që ka rënë në epopetë e lavdishme të UÇK-së, andaj ne pasardhësit e tyre obligohemi që të punojmë fuqishëm dhe të ecim bindshëm në këtë rrugë, sepse këtë proces të madh historik e ka hap lufta e UÇK-së”, ka thënë ai. Një fjalë rasti në këtë akademi ka mbajtur edhe komandanti i Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, gjeneral Hysni Shabani, i cili pas rënies së komandantit Mujë Krasniqi caktohet komandant i kësaj brigade. “Luftërat i bëjnë ata që ndiejnë mungesën e lirisë, ata që iu dhimbset popullit i tyre, ata që janë në gjendje të sakrifikojnë. Fjalimet nuk ia arrijnë qëllimeve gjithmonë në akademi, sepse nuk arrijnë t’i përshkruajnë aktet heroike që e treguan ushtarët tanë gjatë periudhës së luftës, megjithatë ne i tregojmë kur i përkujtojmë dhe nderojmë veprën sublime të të rënëve”, ka thënë Shabani Ndërsa profesori Emin Kabashi, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka mbajtur një kumtesë me përmasa historike të UÇK-së. “Këta 41 dëshmorët e kombit bashkë me komandantin e tyre Mujë Krasniqin na mësuan se atdheu nuk është i tëri pa u çliruar pjesët e pushtuara të tij, pa u hequr kufijtë, prandaj edhe ranë në altarin e lirisë që atdheu të bëhet i tëri. Kjo përmasë e luftës së UÇK-së është përmasa historike që bëhet vlerë kombëtare vetëm kur të kryhet procesi i madh historik i bashkimit kombëtar”, ka thënë ai. Të pranishmit në këtë akademi përkujtimore i ka përshëndetur edhe Ismet Gashi, djali i dëshmorit të kombit Beqir Gashi. “Në emër të familjes së Mujë Krasniqit dhe gjithë dëshmorëve që kanë rënë më 14 dhjetor 1998 ju falënderojmë për pjesëmarrjen dhe që po gjendeni pranë nesh në këto ditë dhimbje dhe krenarie”, ka thënë ai mes emocioneve. Ndryshe, 24 vjet më parë, gjatë mëngjesit të acartë të 14 dhjetorit të vitit 1998 luftëtarët e UÇK-së derisa sillnin armë në Kosovë, kishin rënë në pritën e organizuar nga ushtria dhe policia e armikut, në vendin e quajtur “Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut. Gjatë luftimeve të pabarabarta të zhvilluara në borën e dhjetorit, veç dëshmorëve të rënë, u plagosën edhe dhjetëra luftëtarë, ndërsa disa luftëtarë u zunë rob lufte, por pas një aksioni të zhvilluar nga luftëtarët e UÇK-së 8 ushtarë të ushtrisë serbe ishin kapur nga luftëtarët e UÇK-së dhe me ndërmjetësimin e OSBE-së u bë këmbimi i ushtarëve të të dyja palëve. Dëshmorët e UÇK-së të rënë në brezin kufitar shqiptaro-shqiptar u varrosën në Polac të Drenicës me nderime larta ushtarake, më 21 dhjetor të vitit 1998.https://ata.gov.al/2022/12/14/perkujtohet-renia-e-muje-krasniqit-dhe-bashkeluftetareve-te-tij/
Per informacionet me te fundit klikoni:
Subscribe kanalin tone ne: youtube@Mhttps://https://www.youtube.com/channel/UCWwrJDjETE4qQxY8t6DPb5g
Web@https://meteoalb.com/
Facebook@https://www.facebook.com/meteoalb/
Facebook@https://www.facebook.com/meteoalb.moti/
Instagram@https://www.instagram.com/moti.meteoalb/
APPI@https://play.google.com/store/apps/details?id=com.meteoalb.app
APPI@https://apps.apple.com/us/app/meteoalb/id1633817605