Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi mori pjesë në takimin e gjashtë të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën. Në këtë takim të thirrur nga Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Lloyd Austin dhe Shefi i Shtabit të Bashkuar të SHBA-ve, Gjeneral Mark Milley, në selinë e NATO-s në Bruksel, ishin të pranishëm përfaqësues të afro 50 vendeve aleate dhe partnere. Qëllimi i këtij takimi ishte adresimi i kërkesave të Ukrainës për kapacitete ushtarake dhe joushtarake të nevojshme për vijimin e reagimit ndaj sulmit të paprovokuar të Rusisë. Në diskutimet e përfaqësuesve të lartë të shteteve aleate u konfirmua uniteti në mbështetje të Ukrainës. Gjatë fjalës së tij, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Niko Peleshi dënoi me forcë të ashtuquajturat referendume ruse për aneksimin e rajoneve të Ukrainës, duke shprehur qëndrimin e Shqipërisë për të mos i njohur kurrë ato. Ministri Peleshi theksoi se Shqipëria njeh dhe respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ministri Peleshi përmendi kontributin e deritanishëm të qeverisë shqiptare në mbështetje të Ukrainës dhe deklaroi se po punohet për të ofruar ndihmë ushtarake dhe humanitare. Në këtë takim mori pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralbrigade Arben Kingji. Takimi i gjashtë i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën u mbajt para takimit dyditor të ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s.https://ata.gov.al/2022/10/13/takimi-i-gjashte-i-grupit-te-kontaktit-peleshi-do-te-vijojme-ndihmen-per-ukrainen/