Projekti, i prezantuar nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, mbështetet në fotografitë historike të arkivit Marubi dhe synon të rindërtojë në një mjedis virtual rrugicat, ndërtesat, arkitekturën dhe detajet karakteristike të Pazarit të Vjetër të Shkodrës.
Nën drejtimin artistik dhe konceptual të Federico Curani, (art director dhe game designer), si dhe me projektimin hapësinor të Edoardo Bracchi, (landscape architect dhe level designer), e kaluara e qytetit do të rikthehet përmes një përvoje gjithëpërfshirëse. Teknologjia immersive do u mundësojë vizitorëve eksplorimin e hapësirave historike, zbulimin e arkitekturës, si dhe të përjetojnë atmosferën e një Shkodre që sot ruhet në fotografitë e arkivit historik.
Sipas Muzeut “Marubi”, kjo nismë nuk përfaqëson thjesht një mënyrë të re për të parë të kaluarën, por një mundësi për ta përjetuar atë nga afër, duke ndërthurur trashëgiminë kulturore, artin dhe teknologjinë.
Projekti realizohet në bashkëpunim me Kub France Tirana (Instituti Francez i Shqipërisë), Ambasadën e Francës në Shqipëri, Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe Consulting and Development Partners (CODE Partners).





