Ambasada amerikane në Prishtinë, sot ka potencuar se pavarësia e Kosovës është fakt dhe se qëllimi parësor i saj është të mbështesin Kosovën, “pasi ajo zë vendin e saj të merituar në strukturat evropiane dhe euroatlantike”. Ambasada ka potencuar se e e kundërshtojnë kategorikisht çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ajo është deklaruar edhe lidhur me një “like” që është bërë nga llogaria e kësaj ambasade ndaj një lajmi, në të cilin është shkruar për ç’njohjet e Kosovës nga 9 vende. Siç ka shtuar ambasada, asnjë “like” gjatë 24 orëve të fundit nuk është bërë qëllimisht nga llogaria zyrtare e saj. “Llogaria zyrtare e Ambasadës Amerikane në Twitter nuk ka bërë “like” qëllimisht asnjë postim në Twitter gjatë 24 orëve të fundit. Siç u përmend më herët: kur kemi një pozicion për të artikuluar, ne e bëjmë këtë nëpërmjet deklaratave zyrtare, që i atribuohen – jo nga një “like” e mediave sociale”, është shkruar në faqen zyrtare të ambasadës në Twitter. ATA