Partizani është fitues i “Kupës së Shqipërisë” në volejboll për meshkuj. Te kuqtë e drejtuar nga trajneri Ylli Tomorri kanë arritur të ngrenë lart trofeun, pasi mundën me rezultatin e pastër 3-0 bardheblutë e Tiranës në sallën “Feti Borova”. Derbi i Kupës foli tërësisht për skuadrën e Ylli Tomorrit, me Partizanin që dominoi në çdo aspekt ndaj një Tirane të pafuqishme dhe me shumë gabime.
Trofeu i ekipit fitues u dorëzua në fund të ceremonisë nga presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi. Ky ishte suksesi i 14-të në histori në Kupë për të kuqtë, të cilët po zhvillojnë një sezon fantastik, teksa vetëm dy javë më parë ngritën lart edhe trofeun mbarëkombëtarë të Ligës “Gjergj Kastrioti”, duke e mundur edhe aty Tiranën 3-0, ndërsa janë gjithashtu edhe kryesues me pikë të plota në kampionat. Nga ana tjetër bardheblutë ua dorëzojnë rivalëve të qytetit fronin në Kupë, aktivitet që i kishte parë të besuarit e Arben Sakos fitues në dy edicionet e fundit.